Shqipëria nuk po arrin të tërheqë investime të huaja të qëndrueshme dhe afatgjata, pasi investitorët po pengohen nga mungesa e një klime konkurruese biznesi dhe investimesh.
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham), Enio Jaço, në fjalën e mbajtur gjatë Asamblene e Pergjithshme te AmCham tha se ndonëse investimet e huaja amerikane në Shqipëri janë rritur dy vitet e fundit në 220 milionë dollarë, pasi për shumë vite kishin ngecur në 80 milionë dollarë, “ne duhet të pranojmë se jemi ende shumë nën potencialin tonë. Ne duhet të synojmë për miliarda investime”.
Ai shtoi se Çështja është qëndrueshmëria – si t’i bëjmë këta investitorë të qëndrojnë për një afat të gjatë kohor. Për ta arritur këtë, ne kemi nevojë për një klimë konkurruese biznesi dhe investimesh.
“Faktorë të tillë si lehtësia e lejeve, niveli i korrupsionit, a kanë investitorët shanse për të hyrë në prokurimet publike, a janë stimujt e investimeve konkurruese – janë çështje reale që përcaktojnë klimën e investimeve. Ne duhet të ofrojmë një mjedis tërheqës për të siguruar investitorë strategjikë”.
Jaço shtoi se ndonëse Dhoma ka hartuar një paketë për nxitjen e investimeve, nuk është bërë shumë përparim.
“Ne duam të jemi konstruktiv, nuk duam thjesht të ankohemi, ndaj dhe kemi krijuar një vizion të quajtur Axhenda e Investimeve, e cila ka 40 rekomandime, duke përfshirë strategjinë e investimeve (sektorët prioritarë, vendndodhjet, infrastrukturën), një paketë kundër korrupsionit (e bën të lehtë që agjencitë e zbatimit të ligjit të identifikojnë dhe kapin aktet e gabuara), një reformim i plotë i Prokurimit Publik në mënyrë që të gjithë të kenë akses, zbatimi i Konsultimit Publik në mënyrë që të rrisë besimin dhe angazhimin e grupeve të interesit dhe në fund një sistem tatimor modern që është konkurrues në rajoni, lufton informalitetin dhe pasqyron standardet ndërkombëtare të kontabilitetit.
Kjo nuk është lista jonë e dëshirave – është përbërësi bazë i një ekonomie të suksesshme dhe konkurruese dhe së bashku me Dhomën Amerikane, ky është një vizion që ne ndajmë me dhomën gjermane, franceze dhe italiane.
Nuk mund t’ju them sot se kemi bërë shumë përparim. Edhe pse Qeveria e ka njohur në rrethana të ndryshme vlerën e këtyre rekomandimeve, nuk ka pasur shumë zhvillim. Ne do të mbetemi një partner konstruktiv dhe presim të angazhohemi me qeverinë për zbatimin. Por dua të them gjithashtu se nuk është koha për bisedime – por për veprim”.
Jaço vuri në dukje 2 mundësi të rëndësishme për ekonominë shqiptare dhe komunitetin e biznesit të Dhomës Amerikane. “E para është teknologjia. Tani keni një shans për të hapur një biznes në Shqipëri dhe për të pasur një klient në SHBA. Kjo është një mundësi e vërtetë dhe disa duke përfshirë anëtarët tanë po e bëjnë. Por për ta bërë atë në masë sigurisht që ju duhet një mjedis më konkurrues.
Së dyti është procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e cila është në pragun tonë dhe paraqet njëkohësisht një sfidë dhe një mundësi të pabesueshme. Bizneset duhet të rrisin standardet për të qenë në gjendje të jenë konkurruese në tregjet e BE-së, por ata gjithashtu mund të hyjnë në tregjet e BE-së tani.
Dhe për të përfituar si nga teknologjia ashtu edhe nga tregjet e BE-së, ne kemi nevojë për një kuadër më konkurrues biznesi dhe investimesh. Megjithatë, kjo kërkon një partneritet të vërtetë midis sektorit publik dhe privat – asnjë vend i suksesshëm dhe i zhvilluar nuk e ka arritur këtë i vetëm. Shpresojmë të shohim një bashkëpunim të përmirësuar në vitet e ardhshme”, përfundoi ai.
Pak ditë më parë të gjitha shoqatat e huaja të investitorëve u bënë bashkë si asnjëherë tjetër dhe shprehën shqetësimin për klimën jo të mirë të biznesit në vend. /Telegrafi/