Për ta marrë pushtetin dhe për të abuzuar me të, udhëheqësit cinikë gjithmonë e frikësojnë popullin.
Analizë nga: The Economist
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Në fis njerëzit e kërkojnë forcën dhe ngushëllimin, besimin ose kombin. Dhe, mund ta kuptoni pse. Nëse ndiejnë empati për bashkëqytetarët, kanë më shumë gjasa të bashkohen për të mirën e përbashkët. Në shekujt XIX dhe XX, dashuria për vendin i ka nxitur njerëzit që lirinë ta kërkojnë prej kryeqyteteve perandorake të vendeve të largëta. Ukrainasit sot bëjnë sakrifica heroike për ta mbrojtur atdheun, kundër pushtuesve rusë.
Fatkeqësisht, dashuria për “ne” e ka një kushëri të shëmtuar: frikën dhe dyshimin për “ata”; nacionalizmin paranojak që funksionon kundër vlerave tolerante – si hapja ndaj njerëzve të panjohur dhe ndaj ideve të reja. Për më tepër, politikanët cinikë kanë kuptuar se mund ta shfrytëzojnë këtë lloj të nacionalizmit, duke trumbetuar mosbesimin dhe urrejtjen dhe duke i shfrytëzuar këto për të përfituar për veten dhe për miqtë.
Prej rivalitetit mes Amerikës dhe Kinës, është tensionuar rendi i pasluftës i tregtisë së hapur dhe i vlerave universale. Njerëzit e zakonshëm ndihen të kërcënuar nga forcat që janë jashtë kontrollit të tyre – nga uria dhe varfëria e deri te ndryshimet klimatike dhe dhuna. Duke e përdorur nacionalizmin paranojak, politikanët parazitë janë në gjah të frikës së qytetarëve dhe e degradojnë rendin global – vetëm e vetëm për qëllim të pushtetit.
Siç përshkruan artikulli ynë, nacionalizmi paranojak funksionon përmes përzierjes së ekzagjerimit dhe gënjeshtrës. Vladimir Putini pretendon se Ukraina është kukull e NATO-s, klikat naziste të së cilës kërcënojnë Rusinë; Partia në pushtet në Indi paralajmëron se – duke joshur vajzat e hinduve – myslimanët janë duke bërë “xhihad dashurie”; Presidenti i Tunizisë fantazon për “komplotin” e zi afrikan, për ta zëvendësuar shumicën arabe të vendit të tij. Natyrisht, predikuesit e nacionalizmit paranojak ashiqare i dëmtojnë objektivat e retorikës, por qëllimi i vërtetë i tyre është t’i mashtrojnë ndjekësit. Duke ndezur flakadanin e entuziazmit nacionalist, liderët egoistë më lehtë mund ta fitojnë pushtetin dhe, pasi marrin pushtetin, vëmendjen e publikut mund ta shpërqendrojnë nga abuzimet e veta – duke përmendur armiqtë e supozuar të cilët përndryshe ata do t’i mbanin nën kontroll.
Presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega, dëshmon se sa efektive kjo mund të jetë. Qëkur u kthye në pushtet në vitin 2006, ai i ka demonizuar Shtetet e Bashkuara dhe i ka cilësuar kundërshtarët e vet si “agjentë të perandorisë Jenki”. E kontrollon median, ndërsa familjen e vet e ka vënë në pozitat me ndikim. Pasi shpërthyen protestat masive në vitin 2018 – kundër ryshfetit dhe brutalitetit të regjimit – protestuesit u quajtën “vampirë” prej Ortegasve dhe u burgosën. Më 23 gusht i ndaluan jezuitët, rendin katolik që në Nikaragua ka funksionuar para se vendi të bëhet shtet, me pretekstin se një universitet jezuit është “qendër e terrorizmit”.
Nxitja e turmave shpeshherë çon në grabitje. Ashtu si Ortegasit, disa udhëheqës nacionalistë kërkojnë ta kapin shtetin duke e mbushur me miq ose me të afërmit e gjakut. Përdorimi i kësaj teknike, nën drejtimin e Jacob Zumas – ish-president i Afrikës së Jugut – është njëra arsye se pse kompania kombëtare e energjisë, vetëm për të mbajtur dritat ndezur, është së tepërmi e mbushur me korrupsion. Analiza jonë statistikore sugjeron se që nga viti 2012 qeveritë janë bërë më nacionaliste dhe se sa më nacionaliste janë ato, aq më të korruptuara priren të jenë.
Por, roli më i rëndësishëm i nacionalizmit paranojak është mjet për t’i paralizuar ndarjet e pushteteve që mbështesin qeverisjen e mirë: shtypin e lirë, gjykatat e pavarura, OJQ-të dhe opozitën. Udhëheqësit nuk thonë: “Dua ta pastroj komisionin zgjedhor që të mund t’i bllokoj kundërshtarët e mi politikë”. Ata thonë: “Komisionerët janë tradhtarë”! Nuk pranojnë se duan ta shtypin OJQ-të për të shmangur analizat. Miratojnë ligjet që si “agjentë të huaj” e përcaktojnë çdo organizatë që merr fonde të huaja apo edhe këshilla, ndërsa vendosin kontrolle drakoniane mbi organet e tilla ose thjesht i ndalojnë ato. Ata nuk e mbyllin shtypin, por atë e zotërojnë. Sipas një vlerësimi, vitet e fundit të paktën 50 vende e kanë frenuar shoqërinë civile.
Shembull është presidenti i Tunizisë, Kais Saiedi. Përpara se t’i fajësonte njerëzit me ngjyrë për problemet e vendit të vet, ishte jopopullor për shkak të menaxhimit të tij të dështuar të ekonomisë. Tunizianët tashmë brohorasin për qëndrimin e tij të guximshëm kundër një pakice të vogël kalimtare. Ndërkohë, z. Saied ka shkatërruar gjyqësorin dhe ka mbyllur komisionin kundër korrupsionit, për çfarë puna e ryshfetit ka shkuar edhe më keq.
Abuzimet janë më të lehta kur institucionet janë të dobëta: despotët e Nikaraguas, të Iranit apo të Zimbabvesë janë shumë më pak të përmbajtur sesa liderët e Hungarisë apo të Izraelit. Por, në të gjitha këto vende (dhe shumë të tjera), njerëzit në pushtet kanë shpikur ose kanë ekzagjeruar kërcënimet ndaj kombit, si një pretekst për të dobësuar gjykatat, shtypin apo opozitën. Dhe, kjo ose e ka zgjatur jetëgjatësinë e një administratë të korruptuar ose e ka përkeqësuar atë.
Nacionalizmi paranojak është pjesë e reagimit kundër qeverisjes së mirë. Fundi i Luftës së Ftohtë, në mbarë botën ka çuar në lulëzim të demokracisë. Vend pas vendi u përcaktuan për zgjedhjet e lira dhe për kufizimet në pushtetin ekzekutiv. Shumë politikanë të etshëm për pushtet dhe për plaçka, u mërzitën nga kjo. Mes zhgënjimit të përgjithshëm që pasoi krizën financiare të viteve 2007-‘9, ata e panë mundësinë për ta rimarrë kontrollin. Nacionalizmi paranojak atyre ua dha mjetet për t’i paralizuar ndarjet e bezdisshme të pushteteve.
Për shkak se këto kufizime shpeshherë vinin me inkurajimin perëndimor, nëse jo me financimin perëndimor, udhëheqësit e kishin më të lehtë që kampionët e qeverisjes së mirë t’i përshkruajnë si vegla të të huajve. Në vendet që kanë duruar sundimin kolonial – ose ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara, si shumë shtete në Amerikën Latine – mesazhi has në audiencën e gatshme. Nëse një lider mund ta krijojë një klimë kaq të thellë dyshimi, aq sa besnikëria vjen përpara së vërtetës, atëherë secili kritik mund të cilësohet si tradhtar.
Nacionalizmi paranojak nuk është gati të zhduket. Liderët po mësojnë nga njëri-tjetri. Janë gjithashtu më të lirë për të vepruar – sesa një dekadë më parë. Perëndimi jo vetëm që e ka humbur besimin në programin e vet të përhapjes së demokracisë dhe të qeverisjes së mirë, por Kina – një nacionaliste paranojake që është e prirë që në çdo cep t’i dallojë dobësitë dhe kërcënimet – po e promovon idenë se vlerat universale të tolerancës dhe të qeverisjes së mirë janë forma raciste të imperializmit. Preferon mosndërhyrje nga jashtë dhe zero kritika nga brenda. Nëse vetëm do të mund t’i shihnin gënjeshtrat prapa nacionalizmit paranojak, njerëzit e zakonshëm do të kuptonin se sa e gabuar është fushata e Kinës. Nuk ka asgjë raciste apo jobesnike në dëshirën për një jetë më të mirë. /Telegrafi/