Flitet, bëhet zhurmë dhe gjithçka qëndron pezull. Qytetarë gjithnjë akuzojnë, kritikojnë se ky pushtetar apo një tjetër është i korruptuar. Mirëpo, çuditërisht askujt nuk i bie ndërmend se si t’i ndalojë këto dukuri negative.
Shkurt e shqip, puna nuk qëndron se korrupsioni, vjedhja, e shumë dukuri negative janë antiligjore dhe të dënueshme, por pse nuk është krijuar mundësia që të gjithë njerëzit të shijojnë korrupsionin!
Ironi e vërtetë po të gjykosh drejt: dikush flet se ky qeveritar, ai zyrtar është i korruptuar, ka kryer veprime antiligjore, ka ngritur pallate, kurse në anën tjetër ëndërron pandërprerë që të jetë një njeri i tillë; mallkon fatin; qanë për mungesën e lidhjeve që nuk i ka për të arritur të jetë i korruptuar, që të ndërtojë pallate; të realizojë ëndrrat të cilat vetëm si pushtetar mund t’i arrijë.
Ne të gjithë ndjejmë se jo të gjitha gjërat janë duke shkuar mbarë; ndjejmë se jo çdo gjë që shohim është edhe e vërtetë; dimë se është duke u sakrifikuar shumë për të arritur një qëllim të lartë e që është krijimi i shtetit… Mirëpo, është turp që po të pyesësh çdo qytetar të Kosovës, të cilësdo moshë apo gjinie të jetë, se çfarë do të bënit sikur të ishit ministër, deputet, zyrtar… përgjigjja e parë do të ishte: do të vjedh sa të mundëm; do të punësoj të gjithë anëtarët e familjes; do të blej një Audi Q4, do të bëjë këtë e këtë, vetëm për vete… Kjo do të ishte pra përgjigjja.
Ku je qytetar, nëse ti do të bëje kështu? Ti ke legjitimuar të gjitha ato për të cilat ke kritikuar pushtetarët!?
Këtë gjë si duket e kemi në gjak ne si shqiptar. Pra, nuk është puna se ne kemi një pushtet të korruptuar, por një popull me zemër të korruptuar.
Asnjë parti, asnjë qytetar, asnjë organizatë nuk angazhohet sinqerisht që korrupsioni të dënohet. Por, të largohen ata për të cilët është menduar se mjaft janë korruptuar dhe t’ia lëshojnë vendin të tjerëve, e pas të tjerëve të tjerëve tjerë… E kështu, deri në pafundësi, ëndrra për të vjedhur kurrë të mos përfundojë.
Një gjë të jetë e qartë: nuk janë vetëm ata të cilët marrin të holla për ndonjë shërbim të korruptuar, sepse të korruptuar janë edhe ata të cilët i ofrojnë të hollat dhe shërbimet e ndryshme. E shihni pra, duke pasur admirimin për një veprim të tillë, më mirë i japim mito një pushtetari për të kryer një punë sesa ta padisim qofte edhe publikisht një person të tillë. Ngase, siç u tha më lartë, edhe ai po të ishte në një pozitë të tillë, kështu do të vepronte.
Për ta luftuar korrupsionin dhe këto dukuri negative, fillimisht ne si qytetar duhet hequr nga trupi ynë admirimin që kemi për të; duhet të jemi njerëz të ndershëm për veten tonë dhe shoqërinë; e mbi të gjitha duhesh të jesh i ndershëm ndaj atij që ty të beson. Ndershmëria nuk duhet të përkojë me atë se duke kryer akte si korrupsioni apo politika e gabuar, t’ia kthesh në këtë forme atyre që të besojnë. Sepse, në bindjen tënde ke parasysh se unë e di se të gjithë ata që me votuan mua, do t’ia bënin po sikurse unë. Ti je vetja jote, andaj përpiqu që votën t’ia kthesh me punë dhe puna mos të jetë vetëm interes i thjesht personal.
Përfundimisht, duhet të kuptojmë se përderisa ne si qytetar nuk transformojmë pozitivisht qasjet që kemi ndaj këtyre çështjeve, nuk do të kemi kurrë rehati, e mbi të gjitha shtet. Sepse, shteti nuk ndërtohet duke vjedhur, por duke investuar për të.
Nuk mund të jetë një qeveri prej 15 ministrash aq e fuqishme sa të vjedh djersën e qytetarëve të Kosovës, po që se ne sy qytetarë ta kishim të çliruar trupin tonë nga paragjykimet se pushteti është vetëm formë e manipulimeve, pasurimit, korrupsionit e gjërave të ngjashme. Kur ne e heqim këtë bindje, do ta kemi të lehtë t’ju themi 15 pushtetarëve: “Zotërinj të nderuar, puna juaj është kështu: jeni duke vepruar në kundërshtim me ligjin, andaj ikni sa më parë nga këtu, sepse ligji dhe drejtësia po ju ndjekë nga pas”.