Telegrafi

Korrupsioni kryefjalë e Raportit të Progresit, MD thotë se e luftoi atë

Pavarësisht mungesës së progresit që Komisioni Evropian e ka gjetur në fushën e drejtësisë në Kosovë, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se kanë bërë shumë për luftimin e korrupsionit dhe reformat në këtë fushë. Monitoruesit e institucioneve të drejtësisë kanë mendime të kundërta prej zyrtarëve institucionalë.

Gati 100 herë është përmendur termi korrupsion, në Raportin e Progresit të këtij viti për Kosovën, që e nxori një ditë më parë Komisioni Evropian.

Padyshim se mes fushash që vazhdon të jetë gati më problematikja, e vështirë për të gjetur progres vazhdon të jetë drejtësia.

Luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, sundimi i ligjit, çështja e kryeprokurorit, dhuna në familje, pagat e gjyqtarëve e prokurorëve janë vetëm disa prej atyre që i cek ky raport si shqetësuese.

Lexo po ashtu Bislimi me disa vërejtje për Raportin e Progresit: Janë disa arritje që është dashur të vlerësohen dhe theksohen më shumë në këtë raport

Pavarësisht këtyre gjetjeve, në Ministrinë e Drejtësisë po vlerësojnë se ky dikaster ka arritur progres në kompetencat e tij. Por fajtorin për mosluftim të korrupsionit e gjejnë diku tjetër.

“Me sa e pashë aty, kritikat më të mëdha hedhen në Sistemin Prokurorial, pastaj disa për Sistemin Gjyqësor, mirëpo vlen të përmendet që Ministria e Drejtësisë, qysh nga fillimi i mandatit por edhe këtë vit, ka trajtuar me prioritet luftën kundër korrupsionit, dhe brenda mandatit tonë kemi ndërmarrë disa veprime, që realisht konsideroj se kanë filluar t’i japin rezultatet e para”, ka thënë Genc Nimoni, shef i kabinetit të MD-së.

Lexo po ashtu Szunyog: E ardhmja e Kosovës është drejt BE-së, por të vazhdohet me reformat

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, kritikojnë MD-në se kur ka ngritje merr meritat, ndërkaq për kritika nuk merr përgjegjësitë.

“Nëse i japim një notë këtij raporti nga 1 në 5, Kosova ende është tek 1-shi, dhe po e ka shumë të vështirë të kalojë tek nota 2. Fatkeqësisht evidentohet se në Kosovë ka akoma korrupsion zyrtar, akoma mungon vullneti politik për ta luftuar korrupsionin, po ashtu për disa vite me radhë i njëjti raport e potencon se si dhe prokurorët kanë probleme serioze në trajtimin e rasteve të korrupsionit, mungesë profesionalizmi, anshmëri“, ka thënë Ehat Miftaraj nga IKD.

Raporti për vendin i Komisionit Evropian ka kritikuar edhe mos emërimin e Koordinatorit për dhunë në familje e cila kishte mbetur vakant prej shtatorit të 2022-tës, pozitë e cila u plotësua dy ditë më parë nga kryeministri Kurti duke e emëruar ministren Albulena Haxhiu në këtë pozitë./RTV Dukagjini/