Site icon Telegrafi

Korrupsioni dhe mungesa e reformave ulin besimin ndaj Qeverisë së Maqedonisë

Aferat e fundit korruptuese të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, por edhe heshtja e institucioneve të ndjekjes apo dalja në mbrojtje të tyre, po rrënon çdo ditë e më shumë imazhin e Qeverisë, vlerësojnë jo vetëm nga opozita por edhe njohësit e çështjeve politike dhe të drejtësisë.

Sipas tyre, besueshmëria në institucionet po ulet duke marr parasysh pritjet e shumta që kishin qytetarët pas largimit të Qeverisë së udhëhequr nga Nikolla Gruevski, i cili është arratisur në Hungari për t’i ikur drejtësisë pas padive të ngritura kundër tij për vepra të rënda penale.

Rasti me sekretarin e Qeverisë, Dragi Rashkovski (i akuzuar për kurdisje të një tenderi), pushimi i hetimeve të një gazetari i afërt me pushtetin e kaluar i akuzuar për ndërtim të shtëpive familjare pa leje adekuate, lirimi i ish-ministres së Kulturës, Elizebeta Kamçevska po ashtu e paditur për shpërdorim të detyrës, janë vetëm disa nga rastet që sipas ekspertëve po i faturohen Qeverisë si skandale që po i paguan me çmimin e rënies së besueshmërisë.

Borçe Davitkovski, profesor i çështjeve të administratës publike dhe njohës i rrethanave politike, thotë se Qeveria aktuale gjatë kësaj periudhe kishte zotime të shumta deklarative për reforma, por në praktikë ka bërë shumë pak, apo larg pritjes së qytetarëve për ndryshimin e sistemin të qeverisjes. Ajo edhe tani zotohet se do të realizoj gjithë ato çfarë kishte premtuar, por Davitkovski thotë se një gjë e tillë vështirë se do të realizohet.

“Kjo Qeveri ka edhe 10 apo 11 muaj punë efektive pasi pjesa tjetër përfshin fushatën elektorale, Qeverinë teknike që duhet të formohet në bazë të Ligjit për qeverinë sipas Marrëveshjes së Përzhinos (Qeveri me përfshirjen edhe të opozitës). Pra, reformat nuk mund të bëhet në fund të mandatit të saj. Deklarativisht drejtuesit e Qeverisë çdo ditë flasin për reforma, por ne ato nuk i shohim, nuk i ndjejmë. Edhe sikur diçka të bëjnë, e gjitha do të jetë në funksion të fushatës, jo diçka thelbësore që ka të bëjë me reformat që duhet, si në gjyqësor, luftën kundër korrupsionin, aspektet ekonomike e kështu me radhë”, thotë Davitkovski.

Edhe Bashkim Selmani, profesor i së drejtës ndëshkimore, thotë se Qeveria ka dështuar në shumë plane por veçon atë të drejtësisë, në veçanti në mosndëshkimin e të gjithë atyre që kishin rrënuar sistemin gjyqësor në vend.

“Reformat që duhej të bëheshin në drejtësi, nuk u bënë. Personat të cilët keqpërdorën pushtetin gjyqësor dhe që e lanë peng shtetin, asnjëri prej tyre nuk u përjashtua nga gjyqësori. Gjitha institucionet që janë të ndërlidhura si prokuroria, policia e gjyqësori, fatkeqësisht këto organe nuk funksionojnë. Pra, kemi dështim në aspektin moral, dështim në aspektin e besueshmërinë si dhe gjyqësi jofunksionale”, thotë Selmani.

Ai ndalet edhe te pritjet që kishin shqiptarët ,e që siç thotë, jo vetëm që nuk janë përmbushur, por në disa raste nuk dallojnë nga qasja e Qeverisë së kaluar. Kështu Selmani aludon në proceset gjyqësore që kishin të bëjnë me shqiptarët, si rasti “Monstra”, “ Kumanova” e të tjerë, që ende nuk kanë marrë epilog.

“Gjitha faktet flasin që për shqiptarët ka tjera masa sanksionuese, apo maksimale dhe për maqedonasit minimale. Shqiptarët kanë një besueshmëri shumë të ulët te gjyqësori dhe fatkeqësisht ata duhet të kërkojnë një drejtësi ndërkombëtare që të mund të arrijnë drejtësinë. Vlerësoj se partitë politik janë ato që e mbajnë peng Maqedoninë e Veriut. Unë nuk besoj se kjo Qeveri do të arrijë qëllimin e duhur, pasi ajo shumë ka qenë tolerante ndaj krimit dhe të jesh tolerant ndaj krimit do thotë se je bashkautorë nëse krimi nuk goditet”, thotë Selmani.

Nga Qeveria ndërkohë thonë se ende po përballen sipas saj me pasojat e regjimit të kaluar dhe se do të duhet kohë në konsolidimin e institucioneve të politizuara dhe të drejtuesve të tyre të përfshirë në vepra penale. Por pavarësisht kësaj, Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev thotë se ka rezultate në punën e saj e që janë vlerësuar edhe në Raportin e Progresit, si në normalizimin e raporteve me fqinjët dhe zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar të emrit me Greqinë./REL/

Exit mobile version