Korporata Rugove ka sqaruar se nuk është pronare e as nuk posedon aksione në Televizionin Rrokum. Kjo kompani ka shpreh keqardhje për ndërprerjen e bashkëpunimit me disa kompani që bëjnë shitjen me pakicë.
Sqarimi i Plotë i Korporatës Rugove
Korporata Rugove shpreh keqardhje të thellë për ndërprerjen e njëanshme të bashkëpunimit nga disa kompani retaili, që kanë larguar prej rafteve të tyre produktet tona, pas transmetimit të disa storieve në Televizionin Rrokum.
Korporata Rugove dëshiron të theksojë se në punën e saj dhe marrëdhëniet e biznesit udhëhiqet prej parimeve të konkurrencës së ndershme dhe zbaton standardet më të larta të etikës së punës. Kjo është provuar dhe vlerësuar në vazhdimësi, që prej momentit të themelit të kësaj korporate nga të gjithë bashkëpunëtorët tanë.
Gjithashtu, Korporata Rugove nuk zotëron kurrfarë pronësie direkte apo të tërthortë mbi Televizionin Rrokum apo ndonjë medium tjetër dhe nuk ka asnjë ndikim mbi politikat e tyre editoriale.
Si prodhues vendor, ne i kuptojmë më së miri sakrificat dhe vështirësitë e çdo sipërmarrësi kosovar dhe rrjedhimisht edhe ndjeshmërinë e tyre. Duke pasur bindjen se askush nuk është i pagabueshëm, qoftë edhe media, ne inkurajojmë të gjithë ata që ndjehen të dëmtuar, të ndjekin hapat e nevojshëm ligjor për të kërkuar të drejtën e tyre.
Korporata Rugove shpreson dhe uron që shumë shpejt të kapërcehet kjo situatë në të mirë të konsumatorëve dhe interesit të përbashkët të biznesit. /Telegrafi/