Paskal Milo
Koha e pandemisë COVID-19 i tregoi dhe po i dëshmon njerëzimit se bota ka ndryshuar në mënyrë dramatike dhe se e ardhmja e saj nuk është e sigurt. Shumë të këqija janë paralajmëruar ndër vite që e kërcënojnë njerëzimin, por për fat të keq, egoizmi dhe rendja marramendëse pas fitimeve përmes rivaliteteve e zhvillimit të pakontrolluar teknologjik mbizotëroi përtej arsyes për t’u kujdesur për administrimin me mençuri të natyrës, të mjedisit e të pasurive të tyre jetike. Përballë dilemave të ekzistencës, çdo arritje, në çdo fushë, deri edhe në atë të inteligjencës artificiale, kanë një kuptim relativ, në mos fare.
Bota edhe në perspektivën e saj afatshkurtër nuk do të jetë më si më parë. Jo në kuptimin e konceptit të fantashkencës, por në atë praktik, aktual e strategjik. Ajo çfarë po ndodh do të shënojë epokë në historinë e njerëzimit. Ndryshimet në shekuj janë përcaktuar nga evolucioni gradual i ndërgjegjësimit të qenies njerëzore, i zhvillimit të faktorëve ekonomikë, politiko–shoqërorë dhe i progresit relativ teknologjik, por asnjëherë një kërcënim i tillë i madh si sot, kolektiv, nuk është shfaqur veç epidemive e luftërave
COVID-19 është një “hakmarrje” e natyrës për keqpërdorimin dhe abuzimin me të, por edhe një paralajmërim për të reflektuar për të ndaluar katastrofën. Pandemia po dikton sjellje e qëndrime për të përballuar goditjen e parë frontale të saj, por do të ishte gabim të mendohet se ajo do të kalojë me kaq. Duhen vendime të mëdha strategjike e globale, të përgjithshme e konkrete, parandaluese, por edhe perspektive. Ndryshimi po shfaqet dukshëm kudo e në të gjitha fushat, por do të paraqitet si domosdoshmëri në një të ardhme të afërt.
Jashtë kësaj logjike të kushtëzuar nga rrethanat dhe tendenca e zhvillimeve tani e në të ardhmen nuk do të mbetet as edhe sistemi aktual ndërkombëtar dhe vetë procesi i marrëdhënieve ndërkombëtare. Sistemi ndërkombëtar që u vendos pas rënies së komunizmit dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë shënoi dominimin unilateral të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për afro tre dhjetëvjeçarë. Por, ky dominim filloi të sfidohet në fusha të caktuara nga fuqi të reja në ngritje si Kina, nga rishfaqja e Rusisë si fuqi me pretendime globale në rritje, nga aktorë rajonalë në Azi, Lindjen e Mesme e të Afërt, në Amerikën Latine etj., që kanë dalë në skenën botërore me ambicie jomodeste. Bashkimi Europian mbetet një fuqi ekonomike botërore dhe një ansambël shtetesh me potencial ndikues politik të konsiderueshëm. Por, për shkak të vetë procesit kontradiktor të ngjizjes së tij drejt krijimit të një supershteti dhe të krizave ciklike të 15 viteve të fundit, nuk arriti përkundrejt pritshmërive të shfaqej ashtu siç shpresohej në shekullin e 21-të, si qendra e dytë e madhe e sistemit ndërkombëtar postkomunist.
Aktorët dhe faktorët e rinj të epokës globale, veçanërisht efektet e panjohura për nga rreziku global i pandemisë COVID-19, janë duke ndikuar në ridimensionimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, në dështimin e strukturave ndërkombëtare të aleancave e të organizatave, të grupimeve të shteteve si rregullatorë të ekuilibrave politiko-ekonomikë, financiarë e të sigurisë. Edhe para se të shfaqej COVID-19, ardhja në Shtëpinë e Bardhë e Presidentit Trump vuri në dyshim lidershipin amerikan të botës perëndimore, sidomos shtoi mosbesimin dhe ftohu marrëdhëniet transatlantike.
Kina, prej vitesh me një ekonomi në ekspansion dhe me kapitale të mëdha të lira përmes investimeve dhe tregtisë dhe me asete të tjera veç popullsisë së madhe e armatimit modern, paraqet një faktor shumë ndikues në ndryshimin e sistemit e të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka dalë si aktori potencial më sfidues në botë për lidershipin e SHBA-së. Rusia nga ana e saj, me shtrirjen euroaziatike që ka, me statusin e fuqisë së dytë të madhe që posedon më shumë armë të shkatërrimit në masë, me përdorimin e burimeve të saj të pasura energjetike si instrumente strategjike, është aktori tjetër i madh global që është në kërkim të ndryshimit të raporteve e të sistemit ndërkombëtar.
Pa u zgjatur me modele të tjera shtetërore që veprojnë në zona të ndryshme të rëndësishme të botës e që kërkojnë të influencojnë për hir të interesave të tyre strategjike e gjeopolitike në skicimin e sistemit të ri ndërkombëtar, ndjesia e këtij procesi të pakthyeshëm ndihet e preket edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pikërisht kjo qoshe e dikurshme e rivaliteteve të vjetra perandorake, por edhe moderne në kryqëzimin e rrugëve për Levand e Lindje të Mesme, është kthyer përsëri në vëmendjen e në projektet e fuqive globale e rajonale. Rikthimi nuk është pa interes dhe as pa kosto. Një gjë është e sigurt dhe e provuar: që kur përplasjet e rivalitetet shfaqen dukshëm në horizontin ballkanik, ngjarje e zhvillime negative paralajmërojnë për rajonin
Pandemia COVID-19 goditi konceptin e vendosur në organizimin e rendit global, multilateralizmin. Në fakt, ky parim universal i qeverisjes së botës së sotme kishte marrë krisje edhe para se të shfaqej kjo pandemi. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e bëri të qartë që kur hyri në Shtëpinë e Bardhë se platforma e tij në politikën e jashtme përmblidhej në togfjalëshin “Amerika e para”. Kjo çoi në reduktimin e bashkëpunimit ose në përpjekje për rimodelimin e marrëdhënieve me institucione e organizata multilaterale si OKB, OBT, NATO, BE etj. COVID-19 veç kontribuoi për të parë të vërtetën në sy: se sa e papërgatitur është shoqëria ndërkombëtare për të vepruar si shoqëri e organizuar e për të përballuar krizat e kërcënimet globale. Solidariteti ndërkombëtar u dëshmua në nivele të ulëta, organizmat multilateralë reaguan dobët, ndërkohë që institucione aktorësh parësorë si G-7 e G-20 mbetën në hije.
Rënia e multilateralizmit si koncept e praktikë bashkëpunimi efektiv i një shoqërie gjithnjë e më globale, është shoqëruar edhe me tërheqjen e dobësimin e parimeve liberalo– demokratike të organizimit e të funksionimit të shoqërive kombëtare. Gjithnjë e më tepër në qeverisjet kombëtare të vendeve të mëdha, por edhe të mesme e të vogla, mbizotërojnë udhëheqësit e fortë politikë, të cilët grumbullojnë në duart e tyre pushtete të mëdha, brenda referencave kushtetuese ose duke i ndryshuar ato. Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë konsiderohet si President atipik krahasuar me paraardhësit e tij, për nga stili thellësisht me vulë personale të drejtimit. Vladimir Putin i Rusisë dhe Xi Jin Ping i Kinës gati janë shpallur liderë të përjetshëm me status të pashpallur monarku. Erdogan i Turqisë, Bolsonaro i Brazilit, Orban i Hungarisë, ndodhen brenda kornizave formale kushtetuese, por pushteti i tyre i përqendruar e me kompetenca të jashtëzakonshme i ka zbehur ose i ka bërë të pandjeshëm funksionet e institucioneve përfaqësuese kombëtare.
Raste të tilla janë të shumta e në një mënyrë ose një tjetër janë të pranishme edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Zgjedhjet parlamentare më të fundit në Serbi rikonfirmuan një lider me një prapavijë të fortë diktatoriale, siç është Aleksandër Vuçiq. Një udhëheqës si Gjukanoviqi në Mal të Zi po qeveris vendin në një mënyrë ose një tjetër për gati 30 vjet. Milorad Dodik, i gjithëpushtetshëm shumëvjeçar serb në Republikën Srpska në Bosnjë-Hercegovinë, konfirmon edhe më keq tendencën negative që po shfaqet. Dhe një qasje e tillë do të ishte përfundimisht e vërtetuar nëse në Shqipëri Edi Rama siguron pas disa muajsh mandatin e tretë qeverisës.
Personalizimi i jetës së brendshme politike dhe i asaj ndërkombëtare nuk është thjesht e vetëm rrjedhojë e ndryshimeve që kanë ardhur e po ndodhin nga thyerja e disa tabuve tradicionale në menaxhimin e punëve botërore apo të qeverisjes vendore. As edhe vetëm nga keqpërdorimi i burimeve natyrore, i shkatërrimeve mjedisore apo i shtrembërimit të vullneteve politike qytetare. Ka dhe një faktor tjetër përcaktues: revolucioni teknologjik. Njeriu do të zëvendësohet gjithnjë e më tepër nga krijesat inteligjente artificiale në shërbime e në kërkime, në përpunimin e platformave e në gjetjen e zgjidhjeve, në eksplorimin e kozmosit, të armëve të shkatërrimit në masë etj.