Prishtina ka arritur fitoren e katërt radhazi, pasi para adhuruesve të vet ka mposhtur Lirinë e Prizrenit me rezultat 3-0.
Prishtina që nga fillimi i ndeshjes ishte më e mirë duke sulmuar vazhdimisht portën e Lirisë.
Gauthier Mankenda me dy raste shënimi dhe Ergyn Ahmeti me një tjetër rrezikuan fillimisht.
Tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit Fadil Vokrri për ta parë golin e parë u desh të pritnin minutën e 36-të, kur Ergyn Ahmeti me një goditje të fortë nga distanca realizoi për 1-0.
Me epërsinë minimale të kryeqytetasve përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Në pjesën e dytë ishte radha që mesfushori më i mirë në Kosovë, Meriton Korenica të dhurojë spektakël.
Ishte minuta e 52-të e ndeshjes kur rahovecasi realizoi për 2-0 pas asistimit nga Armend Thaqi.
Nëntë minuta më vonë, sërish në skenë doli reprezentuesi i Kosovës U-21, kur realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për Prishtinën për 3-0.
Ishte ndeshja e tretë radhazi që Korenica realizon nga dy gola me fanellën e Prishtinës, pasi një gjë të tillë e bëri edhe ndaj Flamurtarit dhe Ballkanit.
Prishtina me këtë fitore vazhdon të mbetet e dyta në tabelë me 56 pikë, tri më pak se lideri Feronikeli.
Ndërkohë Liria vazhdon të mbetet e parafundit në tabelë me 24 pikë pas 25 ndeshjeve.
Ndeshjen e radhës Prishtina e zhvillon në udhëtim te Ferizaj, derisa Liria pret liderin Feronikelin. /Telegrafi/