Në rast të provokimeve ushtarake, politike ose ekonomike nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Koreja Veriore do të kryejë “sulm preventiv”, është porositur të premten nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë së këtij vendi në Pjong-jang.
Sipas mediave ruse, ushtria veri-koreane ka tërhequr vërejtjen se do të godasë bazat ushtarake e SHBA-ve në Japoni dhe Korenë Jugore, si dhe Presidencën në Seul në rast “të agresionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Porosia e ashpër e Koresë Veriore vjen pasi që rrjeti televiziv amerikan NBC njoftoi, duke u thirrur në burime të inteligjencës, se SHBA-të po shqyrtojnë mundësinë e “sulmit preventiv” mbi Korenë Veriore nëse gjatë vikendit regjimi në Pjong-jang kryen prova të reja bërthamore.
Edhe pse burime të Pentagonit më vonë hodhën poshtë pohimet, gazetarët amerikanë thonë se ka informacione se një sulm i tillë po shqyrtohet, edhe pse fokusi i ushtrisë aktualisht është i vendosur në “Kinën dhe sanksionet”.
Nesër, Koreja Veriore feston 105-vjetorin e lindjes së themeluesit të saj Kim il Sung, ndërsa zyrtarët amerikanë shfaqin drojën se kjo festë nacionale e këtij vendi, e njohur si “Dita e diellit”, mund të jetë shkas për provën e gjashtë nukleare të Pjong-jangut, transmeton KosovaPress.
Nga Koreja Veriore më herët ishte thënë se “SHBA-të do të kenë luftë nëse zgjedhin ashtu”, derisa nga Pekini dhe Kremlini ishte porositur se është e domosdoshme që të ulen tensionet.
Ndryshe, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të enjten se Pjong-jangu paraqet problem, i cili do të zgjidhet.