Qeveria amerikane ka zbuluar detaje të reja mbi dy viruset, të cilat Koreja Veriore po i përdorë për të sulmuar kompanitë dhe qeveritë.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) dhe FBI thanë se virusi FALLCHILL është përdorur që nga viti i kaluar dhe përmes tij sulmohen kompanitë industriale si aviacioni, financat, telekomi dhe mediat.
Hakerët koreanoverior përmes këtij virusi monitorojnë kompjuterët e infektuar nga distanca.
Ai po ashtu përdorë “proxy malware,” sipas DHS dhe FBI, i cili lejon maskimin e origjinës së tij dhe i bën hakerët më të vështirë për t’u zbuluar.
Virusi tjetër Volgmer infekton kompjuterët përmes teknikës së njohur si ‘spear phishing’, ku përdoruesit e marrin përmes një e-maili që duket në shikim të parë legjitim dhe ka një link, përmes të cilit shpërndahet virusi.
Hakerët e Koresë Veriore kanë përdorur Volgmer që nga viti 2013, thonë autoritetet amerikane.
Pyongyang në mënyrë të vazhdueshme ka hedhur poshtë akuzat.
FBI dhe DHS thonë se të dyja tipat e virusit janë të ndërlidhura me HIDDEN COBRA, term të cilin qeveria amerikan e përdorë për aktivitetin kibernetik keqbërës të përdorur nga qeveria verikoreane.
Koreja Veriore është akuzuar për disa nga sulmet më të mëdha kibernetike viteve të fundit, përfshirë vjedhjen e 101 milionë dollarëve nga banka qendrore e Bangladeshit, në vitin e kaluar.