Donald Trump ndezi “fitilin e luftës” me Korenë e Veriut, i tha agjensisë shtetërore ruse të lajmeve TASS ministri i Jashtëm koreano-verior.
Me deklaratën e tij të papërgjegjshme dhe luftëndjellëse në arenën e Kombeve të Bashkuara, Trump e ngacmoi situatën dhe ne duhet ta zgjidhim përfundimisht këtë punë, jo me fjalë, por me zjarrin e armëve, citohet të ketë thënë Ri Yong Ho.
Gjatë fjalimit në Asamblenë e OKB-së muajin e kaluar, Presidenti amerikan kërcënoi ta shkatërronte vendin komunist e u tall me liderin e tij Kim Jong-un, të cilin e quante “njeriu raketë”. Ri, i cili e përshkroi asokohe shefin e Shtëpisë së Bardhë si të luajtur mendsh, pohoi për TASS atë që duket se është bindja e plotë e lidershipit koreano-verior. Vendi i tij po fiton dhe në thelb përbën një kundërpeshë me vlerë ndaj Shteteve të Bashkuara.
“Amerika, shteti agresor, nuk do të dalë nga e gjithë kjo e pandëshkuar”, ishte komenti i ministrit. Deklarata e tij pason javë të tëra përshkallëzimi të tensioneve mes dy vendeve, të nxitura nga testet e vazhdueshme bërthamore të Penianit dhe gjuha e ashpër dhe fyese e Trumpit, transmeton tch.
Një ditë më parë, ai shkaktoi sërish polemika me kërcënimin t’i heqë licensën “NBC News” dhe disa rrjeteve të tjera mediatike pas raportimeve të tyre të pafavorshme. NBC-ja ishte ajo që e ktheu në yll me programin e tij “The Apprentice”, por tani është në shënjestrën e Presidentit pas njoftimit se ai po kërkon të shtojë arsenalin bërthamor të Shteteve të Bashkuara. Trump i cilësoi të tilla raporte “lajme të rreme” dhe “fantazi e pastër”.
NBC-ja e acaroi Shtëpinë e Bardhë edhe javën e kaluar, kur tha se Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson e kishte quajtur Trumpin “hajvan”.