Site icon Telegrafi

Koreja e Veriut thotë se nuk do t’i zhvillojë bisedimet me SHBA-në

Koreja e Veriut thotë se nuk do të zhvillojë bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi sipas tyre Veriu po konsiderohet “mjet politik” për Washingtonin.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, zëvëndësministrja e Jashtme, Choe Son Hui, tha se negociatat midis Washingtonit dhe Pyongyang nuk do të funksionojnë, dhe se nuk do të ndryshojnë politikat e Koresë së Veriut.

“Ne nuk e ndiejmë nevojën të ulemi ballë për ballë me SHBA-në, pasi të njëjtit e konsiderojnë dialogun si mjet për të kapërcyer krizën e tyre politike”, tha Choe në një deklaratë.

Ndërkohë u raportua se zëvëndës-Sekretari i Shtetit amerikan, Stephen Biegun, do të vizitojë, Korenë e Jugut, javën e ardhshme, për të biseduar rreth negociatave me Korenë e Veriut.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, pati thënë të mërkurën se Presidenti amerikan, Donald Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, duhet të takohen përsëri para zgjedhjeve të SHBA-së, gjë që do të ndihmonte në rifillimin e negociatave të bllokuara për programin bërthamor. /Telegrafi/

Exit mobile version