Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, përfundoi vizitën e tij në Korenë e Veriut, e cila sipas tij ka bërë disa përparime.
“Ne kemi patur orë të tëra bisedimesh produktive. Këtu kemi të bëjmë me çështje të komplikuara, por ne kemi bërë progres në pothuajse të gjitha çështjet kryesore. Në disa çështje specifike është bërë përparim i madh, por për disa të tjera ka ende shumë punë për t’u bërë”, u shpreh ai.
Gjithashtu ai tha se ka folur për mënyrat për t’u dhënë fund programeve të zgjerimit të objekteve bërthamore në Korenë e Veriut.
Megjithatë, autoritetet e Koresë së Veriut duket se nuk ndajnë të njëjtin optimizëm përsa i përket bisedimeve me sekretarin amerikan të shtetit.
Sipas një deklarate të agjencisë zyrtare të lajmeve të Koresë së Veriut, përcjell Telegrafi, zyrtarët koreanoverior kanë shprehur “pakënaqësi dhe shqetësim të thellë” mbi rezultatin e vizitës së Pompeos në vend.
Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të vendit thotë se bisedimet kanë dështuar të ndihmojnë në ndërtimin e besimit midis dy palëve dhe mund të rezultojnë në lëkundjen e vullnetit të Koresë së Veriut për të zgjidhur çështjen e denuklearizimit të Gadishullit Korean.
Vizita e Pompeos në Korenë e Veriut u realizua një muaj pas takimit midis presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe liderit suprem të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në Singapor. /Telegrafi/