Koreja e Veriut po përgatitet për testin e pestë bërthamor. Kështu ka deklaruar Koreja e Jugut nëpërmjet presidentes Park Geun-Hye, e cila tha se ka shenja të qarta për këtë.
Hye nuk dha detaje për shenjat , por urdhëroi ushtrinë e vendit të saj të qëndrojë në gatishmëri.
“Koreja e Veriut po përgatitet për testin e pestë bërthamor. Ne jemi në një situatë, në të cilën Koreja e Veriut mund të organizojë provokimin e radhës si një lëvizje për të kapërcyer izolimin e saj dhe për të konsoliduar unitetin e vet të brendshëm”, tha Park gjatë takimit të kabinetit në zyrën presidenciale.
Testi i ri tingëllon si sfidë ndaj Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila vendosi sanksione muajin e kaluar ndaj Koresë se Veriut pikërisht për aktivitetin e saj bërthamor në rritje.
Sipas vëzhguesve, testi i radhës nga Veriu vjen para mbajtjes së Kongresit të Partisë së Punëtorëve në Phenian muajin maj.
Ekspertët besojnë se Veriu nuk posedon teknologjinë e duhur për të ndërtuar një pajisje bërthamore me një raketë balistike, pavarësisht progresit të viteve të fundit në këtë drejtim.
Në janar të këtij viti, Koreja e Veriut kreu testin e katërt bërthamor dhe një muaj më pas prezantoi një raketë, duke rritur tensionet në gadishull.