Koreja e Veriut ka mohuar pretendimet amerikane se po dërgon predha artilerie dhe municione në Rusi për përdorim në luftën e saj kundër Ukrainës, dhe të martën akuzoi Shtetet e Bashkuara për gënjeshtra.
Mohimi vjen pas dhjetëra testeve të armëve nga Koreja e Veriut, duke përfshirë raketa me rreze të shkurtër veprimi që ka të ngjarë të kenë aftësi bërthamore dhe një raketë balistike ndërkontinentale që mund të synojë territorin e SHBA-së.
Dhe Pheniani tha se po testonte raketat dhe artilerinë, në mënyrë që të mund “pa mëshirë” të godiste objektivat kryesore të Koresë së Jugut dhe të SHBA-së, nëse dëshiron, përcjell Telegrafi.
Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Korenë e Veriut, një nga vendet më të armatosura në botë, për furnizimin e municioneve të epokës sovjetike, si predha artilerie, për të rimbushur rezervat ruse që janë varfëruar në Ukrainë.
Javën e kaluar, Rusia i dërgoi liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un një ngarkesë treni me 30 kuaj, duke hapur kufirin me fqinjin e saj për herë të parë në dy vjet e gjysmë.
Zëdhënësit e Hekurudhave të Lindjes së Largët të Rusisë i thanë agjencisë shtetërore të lajmeve më 2 nëntor se treni i parë u nis për në Korenë e Veriut me 30 kuaj dhe thanë se treni tjetër do të transportonte ilaçe.
Por ekspertët thonë se Koreja e Veriut mund të jetë duke kërkuar karburant rus dhe gjithashtu transferime teknologjike dhe furnizime të nevojshme për të avancuar aftësitë e saj ushtarake, ndërsa ndjek sisteme më të sofistikuara të armëve.
Javën e kaluar, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, akuzoi Korenë e Veriut për furnizim të fshehtë të një “numri të konsiderueshëm” dërgesash municionesh në Rusi.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se Koreja e Veriut po përpiqej të errësonte rrugën e transferimit duke e bërë të duket se armët po dërgoheshin në vendet në Lindjen e Mesme ose Afrikën e Veriut. /Telegrafi/