Koreja e Veriut ka lansuar sot dy raketa të paidentifikuara në det, ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut.
Në komunikatë thuhet se raketat janë lansuar nga periferia e qytetit Wonsan, dhe se kanë fluturuar rreth 240 kilometra në verilindje të vendit, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu thuhet se Koreja e Jugut dhe ushtria amerikane janë duke e analizuar lansimin e raketave, duke mos precizuar nëse raketat ishin balistike apo bëhet fjalë për ndonjë më të vogël nga artileria e këtij vendi.
Lansimi i raketave ka ndodhur vetëm dy ditë pasi lideri i këtij vendi Kim Jong-Un vëzhgoi nga afër stërvitjet ushtarake – që është konsideruar si një nga paraqitjet e tij të rralla në publik që kur ka shpërthyer epidemia e coronavirusit. /Telegrafi/