Koreja e Veriut ka kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për stërvitjet e përbashkëta ushtarake vjetore.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Kim Yo Jong, motra me ndikim e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i quajti stërvitjet “një akt vetë-shkatërrimi i padëshiruar për të cilin duhet të paguhet një çmim i shtrenjtë”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut KCNA.
Kim Yo Jong, një zyrtare e rangut të lartë në Partinë e Punëtorëve të Koresë, akuzoi se manovrat e verës “kërcënojnë sigurinë e njerëzve tanë dhe rrezikojnë më tej situatën në gadishullin Korean”.
“Ushtrimet e rrezikshme të luftës të shtyra përpara nga SHBA dhe pala e Koresë së Jugut, shpërfillja e paralajmërimeve tona të përsëritura me siguri do t’i bëjë ata të përballen me kërcënim më serioz të sigurisë”, pohoi ajo.
Kështu, ka shtuar ajo, Koreja e Veriut do të rrisë aftësitë e saj për një “sulm të fuqishëm parandalues”.
Deklarata e Kim Yo Jong pasoi raportet nga mediat e Koresë së Jugut se Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara do të fillojnë ushtrimet e tyre verore në një shkallë më të vogël të hënën e ardhshme.
Ushtrimi komandues njëmbëdhjetë ditor i cili fillon të hënën tjetër do të përqendrohet në simulimet kompjuterike.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara kanë 28,500 ushtarë të vendosur në Korenë e Jugut si një “parandalues” kundër kërcënimeve nga Koreja e Veriut. /Telegrafi/