Koreja e Veriut paralajmëroi sot kryeministrin japonez Shinzo Abe se së shpejti mund të lëshojë një ‘raketë të vërtetë balistike’ ndërsa e quajti atë si ‘njeriu më budalla i njohur ndonjëherë në histori’.
“Mund të thuhet se Abe është i vetmi idiot në botë dhe njeriu më budalla i njohur ndonjëherë në histori, pasi ai nuk arrin të dallojë një raketë nga sistemi i raketave të shumëfishta,” tha një zyrtar i ministrisë së jashtme në një deklaratë të realizuar nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.
“Abe mund të shohë se çfarë është një raketë e vërtetë balistike në të ardhmen jo të largët dhe nën hundën e tij”, shtoi ai.
Kritika e së shtunës ndaj liderit japonez është e dyta në llojin e saj nga Pyongyang këtë muaj.
Bisedimet bërthamore midis SHBA dhe Veriut kanë qenë në ndalesë që nga takimi midis Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit Kim Jong Un në shkurt, dhe Pyongyang që nga ajo kohë ka kërkuar që Uashingtoni të ndryshojë qasjen e tij deri në fund të vitit.
Trump la të kuptohet që pritet një takim i katërt me Kim në një shkrim të tij në Twitter në fillim të këtij muaji, vetëm për t’u hedhur poshtë nga Korea e Veriut, e cila tha se nuk kishte asnjë interes për samitet ‘që nuk sjellin asgjë për ne’. /Telegrafi/