Site icon Telegrafi

Koreja e Veriut me “industri moderne” për lansimin e raketave

Media shtetërore e Koresë së Veriut ka njoftuar masën më të fundit të ushtrisë së vendit të izoluar komunist, që ka të bëjë me testimin e një motori të ri dhe me performancë shumë të lartë të hedhjes së raketave.

Udhëheqësi Kim Jong-un e ka quajtur testit “një rilindje” për industrinë e raketave të Koresë së Veriut, sipas asaj që citon agjencia shtetërore e lajmeve “KCNA”. Sipas tij, ky motor do të ndihmojë Korenë e Veriut të arrijë kapacitetet për të lëshuar satelitë të klasit botëror, shkruan BBC.

Zhvillimi, i cili gjithsesi nuk ka gjetur konfirmim nga asnjë prej fqinjëve të Koresë së Veriut, vjen teksa Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson viziton Kinën, të vetmin aleat kryesor në rajon të Penianit.

Pasi mbikëqyri personalisht testin, Kim Jong-un “ka theksuar se bota shumë shpejt do të dëshmojë rëndësinë e madhe të fitores epokale që kemi arritur sot”, raporton “KCNA”, duke shtuar se ky zhvillim ka shënuar edhe lindjen e industrisë së raketave në vend.

Turi i vizitave të Tillerson në Azinë lindore është dominuar më së shumti nga ankthi mbi kapacitetet bërthamore të Koresë së Veriut. Në fqinjin Jugor, të premten, ai tha se përgjigjja ushtarake e Shteteve të Bashkuara është një nga opsionet në tryezë, nëse Koreja e Veriut kërcënon Korenë e Jugut apo forcat amerikane.

SHBA dhe Kina janë angazhuar të punojnë së bashku për ta bindur Veriun komunist të ndërrojë kurs dhe të heqë dorë nga programet e armatimeve, pasi Tillerson u takua me homologun e tij kinez të shtunën.

Gjatë viteve të fundit, Koreja e Veriut ka kryer 5 teste bërthamore dhe një seri testesh raketash balistike. Ekspertët dhe zyrtarë qeveritarë besojnë se vendi i izoluar është duke punuar për të siguruar zhvillimin e raketave që mbajnë edhe koka bërthamore, aq sa të mbërrijnë deri në SHBA. Ndërkohë, Kim Jong-un ka thënë se vendi është shumë pranë testimit të një rakete balistike ndërkontinentale.

Exit mobile version