Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut janë pajtuar që më 9 janar të mbajnë takimin e parë zyrtar, për t’u dakorduar rreth mënyrës së bashkëpunimit rreth lojërave olimpike dimërore që do të mbahen në Korenë e Jugut.
Siç raporton AP, ky do të jetë takimi i parë pas më shumë se dy viteve, dhe është një sinjal pozitiv për uljen e tensioneve midis këtyre dy vendeve, transmeton Telegrafi.
Koreja e Veriut ka konfirmuar se ka pranuar ofertën e Koresë së Jugut që delegacionet e dy shteteve të takohen më 9 janar në fshatin Panmundgom që gjendet në vijën kufitare e këtyre dy vendeve, me qëllim që të diskutojnë për bashkëpunimin për gjatë kohës kur mbahen lojërat olimpike dimërore.
Zëdhënësi i qeverisë së Koresë së Jugut, ka deklaruar se shpreson që gjatë takimit të dy Koreve do të diskutohet edhe për probleme tjera. Takimi i fundit mes dy Koreve ishte zhvilluar në dhjetor të vitit 2015. /Telegrafi/