Telegrafi

Koreja e Veriut, bombë bërthamore kundër sanksioneve?

Pas sanksioneve të ashpra ndërkombëtare të vendosura për lëshimin e paautorizuar të një sateliti, nëpërmjet një rakete me rreze të gjatë në muajin dhjetor, Pheniani duket se po përgatit testin bërthamor si kundërpërgjigje ndaj SHBA-së dhe OKB-së.

Në të shkuarën, Koreja ka kryer dy shpërthime të nëndheshme të bombave bërthamore, në rajone të ndodhura në veriun malor të vendit.

Sipas “CNN”, pamjet e fundit satelitore, të analizuara nga ekspertët amerikanë, tregojnë për një aktivitet të pazakontë në zonat ku më parë janë realizuar shpërthimet.

”Se çfarë do të bëjë Koreja e Veriut dhe sa larg një testimi bërthamor është Pheniani këtë nuk e di askush”, deklaroi Daniel Pinkston, një analist i grupit të krizave ndërkombëtarë të Uashingtonit, transmeton TCH.

”E vërteta njihet vetëm prej shumë pak vetave brenda vetë Koresë së Veriut”, shtoi ai.

Koreja e Veriut është një prej nëntë vendeve të botës që kanë konfirmuar pasjen e armëve bërthamore në arsenalin e tyre.

Sipas ekspertëve, ushtria e vendit komunist ka nga 6-12 bomba bërthamore, mundësisht të vendosura në raketa me rreze të shkurtër e të mesme veprimi. Megjithatë, kapaciteti dhe fuqia e këtyre armëve mbetet objekt spekulimi dhe një mister ende i pazgjidhur. Përveç Koresë, vendet e tjera me kapacitete bërthamore janë SHBA, Rusia, Kina, Franca, Britania e Madhe, Izraeli, India dhe Pakistani. /Telegrafi/