Koreja e Jugut testoi një sistem për kontrollin e automjeteve urbane të lëvizshmërisë ajrore (UAM), që shpreson se do të shërbejë për taksi midis aeroporteve kryesore dhe qendrës së Seulit diku në vitin 2025, duke shkurtuar kohën e udhëtimit me dy të tretat.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, vitin e kaluar, Koreja e Jugut njoftoi një plan për të filluar udhëtimin komercial ajror urban deri në vitin 2025. Ministria e Transportit vlerëson se shërbime të tilla mund të shkurtojnë kohën e udhëtimit midis 30-50 kilometra, nga një orë me makinë, në 20 minuta në ajër.
“Meqenëse UAM pritet të bëhet një nga mjetet e zakonshme të transportit që qytetarët përdorin në jetën e përditshme, është absolutisht e domosdoshme që ne të testojmë dhe të provojmë shërbimet e UAM në mjedise të ndryshme”, tha ministri i Transportit, Noh Hyeong-ouk, që mori pjesë në testimin e së enjtes.
Një pilot voziti modelin me dy ulëse të prodhuar nga Volocopter i Gjermanisë në aeroportin Gimpo të Seulit, për të testuar dhe demonstruar kontrollin dhe koordinimin e pajisjes. /Telegrafi/