Një ish-ekzekutiv i Samsung është akuzuar për vjedhje të sekreteve të kompanisë për një fabrikë të çipave kompjuterikë në Kinë dhe sipas disa lajmeve nga Koreja e Jugut, ai po mbahet në paraburgim në pritje të gjykimit.
Burri 65 vjeçar, i cili nuk është identifikuar, dyshohet se ka vjedhur sekretet tregtare të Samsung në përpjekje për të ngritur një fabrikë çipash në qytetin kinez të Xian – afër vendit ku Samsung ka një fabrikë – bëri të ditur Zyra e Prokurorit të Qarkut Suwon në një deklaratë të veçantë të martën.
Materiali që ai vodhi u klasifikua si “teknologji bazë kombëtare” – risi të përcaktuara nga ligji i Koresë së Jugut si potencialisht që kanë një ndikim të madh negativ në sigurinë kombëtare dhe ekonominë nëse zbulohen jashtë shtetit, raporton TRT World, transmeton Telegrafi.
“Ai është aktualisht i ndaluar në Qendrën e Paraburgimit Suwon,” tha zëdhënësi i Prokurorisë së Qarkut Suwon për agjencinë e lajmeve AFP, duke shtuar se i dyshuari ishte mbajtur për disa kohë, por vetëm zyrtarisht u akuzua të hënën.
Sigurimi i furnizimeve me çipa të avancuar është bërë një çështje thelbësore ndërkombëtarisht, me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën të bllokuar në një betejë të ashpër për kontrollin e tregut.
Samsung është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë për çipa dhe telefona të mençur, dhe qarkullimi i saj i përgjithshëm është i barabartë me rreth një të pestën e produktit të brendshëm bruto të Koresë së Jugut. Skemat e fabrikës së Samsung dhe dizajnet e “dhomave të pastra” nga viti 2018 dhe 2019 të cilat dyshohet se ai u përpoq t’ vidhte do të kishin vlerë të paktën 236 milionë dollarë për Samsung, deklaruan autoritetet.
“Është një krim i rëndë që mund të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm negativ në sigurinë tonë ekonomike duke tronditur themelet e industrisë vendase të gjysmëpërçuesve në një kohë kur konkurrenca për prodhimin e çipave po intensifikohet dita-ditës”, thuhej tutje në deklaratën e prokurorëve, lëshuar të hënën.
Prokurorët gjithashtu akuzuan edhe gjashtë persona të tjerë që punonin për drejtorin e ndaluar, dhe besohet se edhe ata ishin të përfshirë në këtë vjedhje. /Telegrafi/
`