Gjykata në Korenë e Jugut, ka dënuar një 68-vjeçar me 14 muaj burg për lëvdimin e Koresë së Veriut në një këngë.
Në këngën e tij, e cila u publikua në vitin 2016 në Korenë e Veriut, Lee Yoon-seop propagandoi bashkimin e dy vendeve, transmeton Telegrafi.
Në këngë, ai shkroi se nëse dy Koretë do të bashkoheshin nën sistemin socialist të Pyongyangut, qytetarët do të merrnin strehim, kujdes shëndetësor dhe arsim falas.
Ai u dënua sipas një ligji të Koresë së Jugut që ndalon lavdërimin publik të Koresë së Veriut, shkruan BBC.
Në këngën e titulluar “Means of Unification”, Lee thekson gjithashtu se do të kishte më pak vetëvrasje dhe jetë plotë borxhe në një Kore të bashkuar. Kënga e tij u shpall ndër më të mirat në konkursin e nëntorit 2016.
Lee ka kaluar tashmë 10 muaj në burg për një vepër të ngjashme në të kaluarën. Gjykata në Seul tha se Lee vazhdoi të përhapte propagandë duke lavdëruar Veriun.
Korea Herald raportoi se 68-vjeçari postoi komente në internet, duke lavdëruar ushtrinë e Koresë së Veriut në vitin 2013, dhe vazhdoi të postonte përmbajtje antishtetërore në blogjet dhe faqet e internetit të Koresë së Jugut. /Telegrafi/