Artistja e madhe e popullit, Nexhmije Pagarusha, u nda nga jeta më 7 shkurt të këtij viti.
Ajo u varros më 9 shkurt në fshatin Pagarushë nga ku kishte edhe prejardhjen, ndërkohë ngushëllime për humbjen e saj kanë shprehur figura të shumta nga arti, politika, sporti, etj.
Në nderim të saj, Komuna e Tiranës ka mbjellë 100 pemë, në atë që do të njihet si “Kopshti Nexhmije Pagarusha”.
Ka qenë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ai i cili ka publikuar në rrjetin social Facebook një video nga ky aktivitet që është zhvilluar në kryeqytetin shqiptar.
“Kopshti “Nexhmije Pagarusha” te Parku i Liqeni. Nuk ka kënaqësi më të madhe se t’i kushtosh një kopsht me 100 pemë artistes së madhe kosovare, e këto pemë t’i mbjellësh së bashku me kolegët e saj artistë. Sot përmbushëm edhe një amanet të sajin, se pemët i donte kaq shumë”, ka shkruar Veliaj në Facebook.
Ndërkohë, të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe këngëtarët e njohur: Sabri Fejzullahu, Shyhrete Behluli dhe Vjoleta Kajtazi. /Telegrafi/