Telegrafi

Kopjim i gabuar

Femrat mundohen të imitojnë aktoret, këngëtaret, prezantueset televizive, apo edhe politikanet e suksesshme. Televizioni luan rolin kryesor në krijimin e modelit që bëhet pikë referimi. Kur të famshmet janë të suksesshme, ka patjetër kopjuese.

Tani për tani është pak e vështirë për të gjetur një model. Mjafton të bësh një kalim kanal më kanal televiziv, për të kuptuar se në të vërtetë nuk ka shume për të “kopjuar”. Zor se gjen profile të spikatura. Veshje të hallakatura, apo demode, flokë të shprishur, apo të sajuar keq.

Syri të zë lloj-lloj sajimesh e ngjyrash. Nuk flitet për ndonjë stilim flokësh dhe herë-herë të çudit ndonjë trëndafil i madh i ngulur në kokë, që kombinohet me ngjyrën e fustanit.

Kjo lloj rastësie në të veshur vihet re te ndonjë prezantuese emisionesh. Flitet për modën, për tendencat e vjeshtës dhe të dimrit, kujdesin për flokët pas plazhit, për ndërrime ngjyrash, por vetëm tendencë dhe modë nuk ofron imazhi i emisionit, madje ka mundësi që shikuesi uron që të mos ngjajë si ajo.

Duke qenë emisione të përditshme është e kuptueshme që fondi i garderobës personale shteron dhe vetë televizioni përkatës duhet të kujdeset që të prezantohet në një mënyrë sa më të këndshme.

Por gjendja bëhet edhe më e rëndë në emisionet serioze. Për t’iu përshtatur formatit të programit, me karakter social, me emocione të forta e ankth, prezantueset përpiqen të duken sa më serioze.

Sigurisht nuk mund të veshësh dekoltera e fustane lule-lule, por nuk është as nevoja të sajohesh si nuset e qëmotit në ditën e parë të martesës.

Sezonin e kaluar është paraqitur garderobë kostumesh të çuditshme të ndezura, ngjyrë trëndafili, e gjelbër, e kuqe gjak, plot xhingla-mingla… Grimi dhe frizura, plotësojnë imazhin e nuses, me flokët ende të paprishur nga dasma, gjithë forma, bukle, xixa…

Dhe, në tërë këtë farfurimë, çoroditesh e nuk e ke mendjen tek ato që thotë prezantuesja, por mendon se si ka mundësi që të sajohet në atë mënyrë. Ndoshta ka pak shpresë për sezonin e ri. Ndoshta ndryshimi i ekranit do përmirësojë paraqitjen e saj.

Gjendja është pak më e mirë te meshkujt, me kostume të shtrenjta, sipas prerjeve të modës së fundit, në kombinime ngjyrash të këmishëve, kravatave e xhaketave.

Këtu përfshihen edhe të rinjtë të cilët janë në trend. Sigurisht ka edhe nga ata që kanë vendosur të vishen vetëm në një mënyrë: p.sh. jelek mbi një këmishë me mëngë, apo në të njëjtën ngjyrë, duke u bërë të mërzitshëm…

Në total është gjithçka e çrregullt. Duket se imazhet televizive dhe vetë drejtuesit e televizioneve, ende nuk e kanë kuptuar se veshja, apo krehja e bukur, pa ekzagjerime shkon në të njëjtën linjë me “produktin” që këta njerëz prezantojnë dhe nga ana tjetër është respekt për shikuesit të cilët qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme duan t’u ngjajnë, pasi u duken të rëndësishëm që flasin e japin mend nga ekrani. /shekulli/telegrafi/