Telegrafi

Koordinimi i plotë kundër atyre që prishin rendin dhe qetësinë

Në këtë takim morën pjesë edhe shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, komandanti i KFOR-it, gjeneral Gay, zëvendësi i përfaqësuesit civil ndërkombëtar, Fletcher Burton, si dhe përfaqësuesit e policisë së EULEX-it.

Në takim u konstatua se është më se e nevojshme që të vazhdojë koordinimi i plotë i të gjithë mekanizmave të sigurisë dhe institucioneve të Kosovës, në mënyrë që situata në veriun e vendit të mbahet nën kontroll dhe të parandalohen veprimet e atyre që kanë për qëllim destabilizimin dhe krijimin e tensioneve në vend.

Pjesëmarrësit në takim po ashtu u dakorduan se reagimi i përbashkët i Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it dhe forcave të KFOR-it ishte përgjigje adekuate ndaj provokimeve për të nxitë tensione dhe destabilitet.

Në këtë takim gjithashtu u theksua se duhet të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme që provokimet dhe aktet e tilla në të ardhmen të parandalohen paraprakisht nëpërmjet koordinimit të veprimeve të të gjithë akterëve në fushën e sigurisë.

Përfundimisht – siç bëhet e ditur nëpërmjet një komunikate nga Presidenca – u përsërit thirrja për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të përmbahen ndaj provokimeve që mund të vijnë nga ata që kanë për qëllim ndaljen e ecjes së Kosovës drejt proceseve të zhvillimit dhe perspektivës së gjithmbarshme.

Po ashtu u theksua se të gjithë ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe që synojnë të prishin rendin dhe qetësinë në Republikën e Kosovës do të përballen me Policinë e Kosovës, me Policinë e EULEX-it dhe me forcat e KFOR-it, të cilat janë këtu për sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim. /Telegrafi/