Telegrafi

Koordinatori Hoti u dhuron libra nxënësve fitues të Kamenicës e Fushë Kosovës

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, dhuroi sot 269 sete librash nga autorë të ndryshëm. Librat iu dhuruan si shpërblim nxënësve fitues të garës Nacionale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik dhe garës Nacionale të Diturisë në Komunën e Fushë Kosovës si dhe të Kamenicës.

Me këtë rast, Koordinatori Hoti uroi edhe fillimin e gjysëmvjetorit të dytë duke thënë se po nis këtë gjysëmvjetor duke shpërblyer nxënësit për suksesin e arritur. Në Kamenicë, ai theksoi rëndësinë e shkollimit ndërkohë që shprehu përkrahje për reformat në arsim, e në Fushë Kosovë foli për masivitetin e garave dhe rëndësinë e tyre, transmeton Telegrafi.

“Jam i lumtur që sot po ju dhuroj atë që keni fituar me dijen tuaj nga garat që keni zhvilluar. Angazhimi i fuqishëm i komunave, drejtorëve, mësimdhënësve, prindërve, DKA-ve dhe nxënësve ka treguar se kur punojmë për qëllime të përbashkëta, mund t’i realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Falë kësaj pune sot 44,723 nxënës mbajnë titullin e fituesit dhe që të gjithë janë shpërblyer. Në Komunën e Kamenicës janë bërë reforma në arsim dhe ne si qeveri ju garantojmë se asnjë nxënës nuk do të mbetet pa shkollim sepse kjo është e drejtë kushtetuese ”, tha koordinatori Hoti.

Edhe Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati foli për rëndësinë e shkollimit dhe të shpërblimeve që u ndanë për nxënës.

“E falënderoj Koordinatorin për gjithë punën që ka bërë e sidomos për këto shpërblime. Nuk ka gjë më të çmueshme sesa dija e dhuratë më të mirë se libri. Sukseset do të jenë çdo herë me ju nëse ndiqni rrugën e shkollimit dhe të dijes”, tha Kastrati.

Nxënësit fitues u ndanë të kënaqur me shpërblimet ndërsa treguan edhe për përgatitjet që kanë bërë për garat. Komuna e Kamenicës ka pasur 968 nxënës fitues në të gjitha nivelet e garës nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Dituri. Ndërkaq, 530 fitues në të gjitha nivelet e garës ka pasur komuna e Fushë Kosovës. ​/Telegrafi/