Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, është pritur në takim nga Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini.
Hoti shpalosi Programin Nacional për Rininë dhe njoftoi ministren për realizimin e tij në Kosovë, si dhe i prezantoi Programin Nacional dhe Ndërshtetëror për Rininë, të cilit i propozoi që ta implementojnë edhe për nxënësit e studentët e Shqipërisë.
“Nga 19 shkurti zyrtarisht kemi filluar realizimin e Programit Nacional për Rininë me garën e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik nëpër të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës për të vazhduar më pas edhe me garën në dituri dhe sport. Interesi ynë qytetar dhe kombëtar është që ky program të adaptohet edhe nga ju dhe në nivelin ndërshtetëror nxënësit e studentët tanë të garojnë së bashku. Ky program është një koncept filozofik i garës që do t’u japë shansin të gjithë nxënësve dhe studentëve pa dallim. Besojmë që bashkëpunimi i dy vendeve tona nëpërmjet nxënësit dhe studentit është pika më e fuqishme e cila e formëson të ardhmen tonë të përbashkët ”, tha Koordinatori Hoti.
E Ministrja Shahini e përkrahu idenë e Koordinatorit për programin duke thënë se do të shqyrtojnë të gjitha mundësitë për bashkëpunim.
“Unë pajtohem me konceptin e programit dhe mendoj se është një program interesant. Unë bashkë me ekipin do ta studiojmë për të parë të gjitha mundësitë për adaptim edhe në sistemin tonë, aq më tepër që ky program ka ardhur si mbështetje dhe pëlqim i Kryeministrit tonë. Qysh sot do të ju bëj të mundshme të keni takime me dikasterin e sportit dhe rinisë”, tha Shahini.
Programi Nacional dhe Ndërshtetëror për Rininë parasheh garat në nivel rajonal me shtetet tjera ku përfshihet edhe Shqipëria. /Telegrafi/