Site icon Telegrafi

Koordinatori Hoti takohet me fituesit e garave republikane

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, sot vizitoi nxënësit fitues të garave republikane të cilët po mbajnë kampin kreativ një javor në Brod të Dragashit.

Sioas njoftimit, koordinatori Hoti fillimisht u takua me mësimdhënësit që po shoqërojnë nxënësit të cilët i falënderoi për angazhimin e tyre si gjatë procesit të garave, ashtu edhe për kujdesin ndaj nxënësve gjatë kampit.

Nga ana e tyre, mësimdhënësit thanë se janë shumë të kënaqur me gjithë organizmin e garave në gjithë vendin, duke theksuar se garat e tilla kanë qenë shumë të nevojshme për sistemin arsimor. Po ashtu, ata treguan përvojën e tyre në kampin kreativ me ç’rast thanë se është një organizim shumë i veçantë për nxënësit.

Në fjalimin e tij drejtuar nxënësve, Koordinatori Hoti tregoi sa madhështore është fitorja që kanë arritur duke u zgjedhur si më të mirët  e republikës.

“Si fitues republikan ju jeni realisht mendja e ardhshme e Kosovës. Kur them kështu mendoj në arsim, shkencë, kulturë e të gjitha fushat tjera. Secili nga ju këtu, nesër mund të jetë kryeministër, president, nobelist, austronaut, fizikant, shkencëtar, artist i madh e çka jo tjetër. Megjithatë, ju duhet të jeni modest në jetë, sepse sukseset tuaja janë madhështore, e ato flasin për ju.  Në jetë mësoni që gjërat e bukura t’i ndani me të tjerët, sepse ju keni vlera që duhet t’i ndani. Vetëm me arsim ju mund t’i konkurroni të gjithë moshatarët tuaj në Kanada, Australi, Evropë e kudo tjetër. Andaj, investimi jonë tek ju është jetik dhe ne do të punojmë që ju të merrni atë që meritoni”, tha Koordinatori Hoti.

Nxënësit zhvilluan bashkëbisedim me Koordinatorin Hoti duke parashtruar pyetje rreth Programit Nacional për Rininë dhe rreth garave në përgjithësi.

Koordinatori Hoti falënderoi po ashtu edhe Policinë e Kosovës që po përkujdesen për sigurinë e nxënësve në kamp, si dhe anëtarët e Kuvendit të Rinjve të Kosovës që gjatë kampit kanë realizuar aktivitete edukative e relaksuese për nxënësit.

Janë mbi 200 nxënës fitues të garave  që do të jenë pjesë e kampit kreativ nga 29 komuna të Kosovës vetëm për klasat VI, VII, VIII dhe IX. Në kuadër të kampit kreativ, në grupin e parë janë rreth 100 nxënës nga komuna e Deçanit, Junikut, Mitrovicës, Hanit të Elezit, Shtimes, Gjilanit, Vushtrrisë, Skënderajt, Kamenicës, Kaçanikut dhe Klinës.

Nën organizimin e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Garën Nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Garën Nacionale të Diturisë, për herë të parë në Kosovë, rreth 316,000 kishin mundësinë të përfshihen në garë nga të cilët janë shpallur 44,723 fitues.​

Exit mobile version