Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Rektorin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Ferizajt, Agron Bajraktari. Marrëveshja u nënshkrua me qëllim të përfshirjes së studentëve në Programin Nacional për Rininë.
Koordinatori Hoti shpalosi Programin Nacional për Rininë dhe tha se pret angazhimin e studentëve jo vetëm në garën në mes vete, por edhe në monitorimin e procesit të garës nëpër nivelet tjera.
“Programi Nacional për Rininë është i hartuar ekskluzivisht për të gjithë nxënësit dhe studentët. Ata do të jenë pjesë e programit në forma të ndryshme qoftë duke qenë vet pjesë e garës, qoftë duke monitoruar procesin e saj nëpër nivele të ndryshme. Unë besoj që studentët janë pjesa më e mirë e shoqërisë sonë, andaj sot jam i lumtur që po bashkëpunojmë për të mirën e tyre”, tha Hoti.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Koordiantori Hoti ishte i shoqëruar nga zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Leonora Morina-Bunjaku, e cila theksoi mbështetjen e ministrisë që përfaqëson për Programin Nacional për Rininë.
Ndërsa, Rektori Bajraktaraj tha se e mirëpret Programin Nacional për Rininë dhe se do ta mbështesë realizimin e tij.
“Është një program shumë i nevojshëm sepse gara dhe konkurrenca në mesin e të rinjve është e domosdoshme. Ne do t’i inkurajojmë studentët tanë të jenë pjesë e garës dhe të ndihmojnë në realizimin e programit në forma të ndryshme. Jemi të gatshëm çdoherë për bashkëpunim me ju sepse e mbështesim plotësisht programin”, tha Bajraktaraj.
Koordinatori Hoti vizitoi edhe hapësirat e universitetit ku zë vend kreativiteti i studentëve dhe pjesa praktike e asaj që mësohet në ligjërata.
Marrëveshja e bashkëpunimit përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programit Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me përfshirjen e studentëve në garat e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe të sportit.