Site icon Telegrafi

Koordinatorët e Qeverisë Haradinaj me pagë sa të ministrit

Numrit të madh të anëtarëve të kabinetit qeveritar të udhëhequr nga kryeministri, Ramush Haradinaj këtë javë i janë shtuar edhe dy koordinatorë të rinj.

Pas marrjes së këtij vendimi nga kryeministri Haradinaj, ka pasur kritika dhe reagime të ndryshme nga analistë, përfaqësues të shoqërisë civile e partitë opozitare thonë se emërimi i koordinatorëve është i panevojshëm.

Por, sipas Zyrës për Komunikim Publik të Qeverisë, shtyrja përpara e reformave shtetërore është arsyeja  pse janë emëruar këta koordinatorë.

Lexo po ashtu Emërimi i koordinatorëve, shpikje e Qeverisë për akomodimin e militantëve

“Mbrojtja e Ambientit qe është në fazën kur duhet reaguar të gjithë dhe që është lënë prej vitesh anash. Një temë tjetër e rëndësishme për të cilën është emëruar një koordinator janë çështjet e rinisë”, kanë thënë për Telegrafin nga ZKP.

Derisa të pyetur për pagat e këtyre koordinatorëve, zyrtarët nga kjo zyrë ka thënë se kategorizimi i tyre i pagave është në nivel ministrash – “do të thotë do të marrin pagën e njëjtë”. Koordinatorët në ekipin e tyre kanë të drejtë të angazhojnë dy këshilltarë dhe një asistent.

Ndryshe ‘armatës’ së zëvendësministrave të ekzekutivit aktual ka shkuar në 74 sosh, duke ia shtuar këtu edhe 21 ministrat, do t’i shtohen edhe koordinatorët, të cilat janë shpenzime ekstra për arkën e shtetit.

Zëvendësministri ka rrogë prej 1,200 euro dhe mund të ketë një asistent me 419 euro rrogë e një shofer.

Paga mujore e një koordinatori do të jetë 1270 euro, duke bërë kështu që Kosova ta ketë qeverinë me numrin më të madh të anëtarëve të saj në rajon.

Pas marrjes së këtij vendimi nga kryeministri Haradinaj, nuk kanë munguar as reagimet e shumta nga analistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë theksuar se emërimi i koordinatorëve është i panevojshëm.

Madje, opozita dhe shoqëria civile po i quajnë “koordinatorë për harxhimin e buxhetit”.

Ndryshe, Qeveria Haradinaj deri më tani zyrtarisht ka të emëruar katër koordinatorë, Besnik Tahirin – koordinator nacional për Reforma Shtetërore, Mendim Rugovën – koordinator për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit, Rexhep Hotin – koordinator nacional për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Avdullah Hasani – koordinator Nacional për Gjeneratën e Re. /Telegrafi/

Exit mobile version