Telegrafi

Konysapor ‘flet’ shqip: Cikalleshi, Bytyqi e Çekiçi shkëlqejnë ndaj Basaksehirit

Sokol Cikalleshi, Endri Çekiçi dhe Zymer Bytyqi ishin protagonistë në fitoren e dytë të Konyaspor kundër Istanbul Basaksehir me rezultatin 2-1.

Mesfushori nga Pogradeci shënoi një gol fantastik në fillimin e pjesës së dytë dhe vendosi baraspeshën, ndërsa në fund e morën skenën dyshja tjetër.

Zymer Bytyqi ishte i përfshirë në një asistim. Reprezentuesi i Kosovës bëri një krosim perfekt për Sokol Cikalleshin.

Sulmuesi kavajas nuk fali dhe me një goditje me kokë e çoi topin në rrjetë, duke i dhënë sërish fitoren skuadrës së tij.

Për 180 minuta sa ka luajtur në këto dy ndeshje, Cikalleshi shënoi dy gola, duke treguar se është në formë të lartë. /Telegrafi/