Telegrafi

Kontrollohen vjedhësit e rrymës

 Këto kontrolle janë duke u zhvilluar në çdo kohë të ditës dhe të njëjtave do i nënshtrohet të gjithë konsumatorët e Korporatës.

Në këtë mes, më datë 04 nëntor 2010 gjatë orëve të natës, punonjësit e Korporatës Energjetike të Kosovës të përkrahur edhe nga Njësitë speciale të Policisë së Kosovës e kanë ndërmarrë një aksion të gjerë të kontrollimit të konsumatorëve në qytetin e Prizrenit.

Në këtë aksion janë kontrolluar 512 konsumatorë, nga të cilët kanë rezultuar që 27 prej tyre kanë keqpërdorur energjinë elektrike duke manipuluar me njehsorët elektrik, 52 konsumatorë kanë patur njehsorë të papllombuar, 2 konsumatorë kanë shfrytëzuar energjinë elektrike pa njehsorë fare ndërsa 65 konsumatorë tjerë kanë mbyllur dyert e shtëpive.

Sipas një komunikate të KEK-ut për media konsumatorët që janë gjetur të keqpërdorin energjinë elektrike do të gjobiten në pajtim me ligjet në fuqi të aprovuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji dhe do të iniciohen procedura juridike në gjykatat kompetente në vend.

Përmes kësaj forme, Korporata është duke arritur të ngrisë performansën e vet në fushën e faturimit, inkasimit dhe uljes së humbjeve komerciale. Të tri këto segmente kanë shënuar përmirësim të dukshëm këtë vit krahasuar me një vit më parë.

Korporata fton të gjithë konsumatorët të paguajnë energjinë elektrike që e shfrytëzojnë, ta mirëshfrytëzojnë atë dhe të raportojnë në Korporatë për çdo problem që kanë me pajisjet e tyre elektrike dhe për çdo keqpërdorim të energjisë elektrike që mund të hasin. Kjo ju siguron konsumatorëve furnizim më të mirë me energji elektrike dhe ikjen nga ballafaqimi me gjoba dhe gjykata.

Kontrollet e ngjashme do të vazhdojnë në tërë Kosovën ditëve në vijim. /Telegrafi/