Studiuesit amerikanë kanë zbuluar se te fëmijët me autizëm sytë reagojnë më ngadalë kur ekspozohen ndaj dritës së fortë
Bebëzave të tyre u është dashur më shumë kohë për t’u tkurrur dhe për t’u kthyer në madhësinë fillestare.
Studiuesit shpresojnë që ky zbulim do të hapë rrugën për mënyrën më të shpejtë dhe më të lehtë për diagnostikimin e autizmit – që shpesh është një përvojë e gjatë dhe stresuese për familjet, transmeton Telegrafi.
Studiuesit besojnë se koha e vonuar e reagimit të syrit është një shenjë se nervat në tru nuk funksionojnë me kapacitet të plotë.
Këto gjetje janë publikuar në revistën “Neurological Sciences”.
Diagnoza e shpejtë mund të çojë deri te intervenimet e hershme të cilat mund të ndikojnë në dallimin midis asaj se fëmija me autizëm a do të mund të flasë apo jo në të ardhmen.
Autizmi është gjendje e cila vështirë diagnostikohet, sepse nuk ekziston një test mjekësor, gjë që do të thotë që mjekët patjetër duhet të bazohen në historinë e zhvillimit dhe në sjelljen e fëmijës.
Fëmijët zakonisht diagnostikohen me autizëm në moshën katër vjeç, ndërsa në Britaninë e Madhe mosha mesatare e një fëmije autik është gjashtë.
– Kur ndërhyn nga mosha 18 muajsh deri në 24 muaj, kjo ka një ndikim afatgjatë në rezultatet e progresit – tha udhëheqësja e hulumtimit, Georgina Lynch.
– Nëse ndërhyni në atë kohë, mund të bëhet një ndryshim domethënës midis një fëmije që fiton të folur verbale dhe atij që mbetet joverbal – shpjegoi ajo.
Shkencëtarët përdorën një pajisje dore të quajtur pupillometer, i cili lëshon një dritë të fortë dhe gjendet në zyrat e oftalmologëve. Ata testuan refleksin e bebëzave ndaj dritës, d.m.th se sa shpejt ajo ndryshon formën në përgjigje të dritës së ndritshme. Duke analizuar rezultatet, ata zbuluan se fëmijët me autizëm kanë një kohë të konsiderueshme të vonuar të reagimit të refleksit në krahasim me grupin e kontrollit.
Profesor Lynch, një ekspert në të folur dhe dëgjim, beson se koha e vonuar e përgjigjes është një shenjë se nervat kranial në tru – të cilët kontrollojnë të folurin dhe gjuhën – janë duke mosfunksionuar.
Ajo tha se sytë modulohen në tru nga nervat kranial të rrënjosur në trungun e trurit dhe nervat kranial ngjitur ndikojnë në aftësinë tuaj për të përvetësuar të foluriz.
– Refleksi i dritës së bebëzave teston integritetin e atij sistemi, kështu që dukej logjike të provohet kjo masë shumë e thjeshtë, jo invazive për të përcaktuar nëse ka dallime midis zhvillimit tipik dhe autizmit – shtoi ajo. /Telegrafi/