Telegrafi

Kontrolli doganor në veri, nevojitet një vendim politik

Zëdhënësja për dogana në misionin evropian, Alexandra George tha për BBC-së se nuk është në kompetencën e EULEX-it të vendosë se kur do të kthehen doganierët kosovarë në dy vendkalimet kufitare me Serbinë dhe kur do të rifillojë mbledhja e taksave doganore atje.

Dy pikat doganore në veri të Kosovës u dogjën pas shpalljes së pavarësisë nga protestuesit serbë dhe as pas dy vjetësh, autoritetet nuk kanë arritur të normalizojnë sistemin doganor.

“Natyrisht qëllimi ynë është që vendosim kontrollin e plotë doganor siç ka ekzistuar para djegies së portave, por janë dy çështje që duhen zgjidhur: ligji i aplikueshëm, pra cili ligj duhet të zbatohet dhe si duhet të shpërndahen të hyrat doganore”, tha George.

George ka përjashtuar mundësinë që EULEX-i të zhvillojë bisedime politike me autoritetet në Beograd lidhur me rivendosjen e kontrollit doganor në veri të vendit. “Çfarëdo bisedime që do të kishim me Beogradin, ato do të bëheshin për çështje teknike dhe asgjë lidhur me ligjin e zbatueshëm apo rivendosjen e kontrollit të plotë doganor. Këto janë çështje me të cilat ne nuk merremi”, u shpreh zëdhënësja George.

Pas një varg përpjekjesh, vitin e kaluar, në dy vendkalimet kufitare në veri u vendosën doganierët e EULEX-it me detyrë të vetme, regjistrimin e hyrje-daljes së mallrave dhe automjeteve nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas. As sot, këto mallra nuk i nënshtrohen kontrollit doganor në dy vendkalimet kufitare në veri, për shkak të kundërshtimeve të forta nga Beogradi.

Autoritetet serbe e konsiderojnë edhe më tutje Kosovën si pjesë të Serbisë dhe janë kundër vendosjes pikave doganore ndërmjet dy vendeve. Mosfunksionimi i dy pikave doganore në veri të Kosovës përveç dëmeve politike, i ka shkaktuar vendit edhe dëme fiskale si pasojë e rritjes së kontrabandës së mallrave. /BBC/