Asociacioni i Komunave të Kosovës ka vazhduar projektin me USAID-in në mbështetje të komunave si vazhdimësi e projektit të Aktivitetit të Kontratës Sociale.
AKK në një postim në Facebook shkruan se USAID ka miratuar “Planin për Monitorimin dhe Mbështetjen e Komunave”, duke siguruar vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Asociacionin e Komunave të Kosovës për dy vitet e ardhshme.
“Ky projekt përfshin një angazhim të shtuar për forcimin e kapaciteteve të Komunave dhe përmirësimin e qeverisjes në nivel lokal, në përputhje me objektivat e përgjithshme të zhvillimit demokratik të vendit.
Qëllimi ynë është që praktikat e prezantuara nga Aktiviteti i Kontratës Sociale të USAID-it të bëhen pjesë e përhershme e punës institucionale të Komunave, duke përfshirë një fokus të veçantë në zgjerimin e procesit të buxhetimit pjesëmarrës.
Kjo nismë do të lehtësojë përfshirjen më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje, duke i mundësuar Komunave të planifikojnë dhe menaxhojnë më mirë burimet e tyre në përputhje me nevojat dhe prioritetet e komunitetit”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/