Telegrafi

Kontrata e përgjithshme kolektive vazhdon të mbetet e pazbatueshme

Ndonëse është firmosur që në vitin 2005, kontrata e përgjithshme kolektive ende nuk zbatohet në Kosovë. Madje kjo çështje duket se është harruar fare, ndërkaq punëtorët kosovarë vazhdojnë të mos kenë kurrfarë mbrojtjeje dhe sigurie në vendet e tyre të punës. Në mungesë të këtij dokumenti, pasojat për ta janë shumë të mëdha, shprehet Shukrije Rexhepi, zyrtare e BSPK-së, që është njëra nga palët nënshkruese të marrëveshjes.

Ministri i punës dhe mirëqenies sociale, Nenad Rashiq, shprehet se në kohën kur është nënshkruar, marrëveshja nuk mori mbështetje politike, pikërisht për shkak të disa dispozitave që ka qenë e vështirë të zbatohen nga punëdhënësit. Por ai tha se për këtë çështje do të diskutojë këshilli social trepalësh.

Fondi Monetar Ndërkombëtar pati rekomanduar që të mos zbatohet kontrata, duke vlerësuar se do ta ngarkonte shumë buxhetin e Kosovës. Kryetari i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, Isa Mulaj, thotë se qeveria tani do duhej të fillonte zbatimin e saj, në rast se jo në tërësi, atëherë në ato pjesë ku mundet.

Kontrata e përgjithshme kolektive përcakton themelimin e marrëdhënies së punës, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësit dhe punëmarrësit, orarin e punës, punën e natës, pushimin vjetor, atë të lehonisë, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarit dhe mbrojtjen e ambientit të punës. Gjendjen e punëtorëve e rëndon më tej edhe mungesa e ligjit të punës, i cili ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës./rtklive/