Telegrafi

Kontrata e koncesionimit të ANP-së drejt rinegocimit

Këto investime dhe përqindja që do ta përfitojë ekzekutivi i vendit vlerësohen si të fryra, marrë parasysh nevojat për investime reale.

Mundësia e rishqyrtimit të kontratës me koncesionerin “Limak&Lion” nuk është hedhur poshtë as nga drejtuesit e njësisë së Partneritetit Publiko-Privat, që funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, të cilët njëherësh e kanë udhëhequr procesin e koncesionimit të aeroportit.

Ata madje gjatë një takimi joformal me gazetarë javën e kaluar, kanë thënë se sipas praktikave ndërkombëtare në rreth 70 për qind të rasteve, kontratat e tilla rinegociohen.

Në këtë takim disa herë është përmendur edhe kontrata e nënshkruar mes Qeverisë së Maqedonisë dhe kompanisë turke “TAV”, e cila ka marrë me koncesion aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup dhe “Shën Apostoli Pali” në Ohër.

Kjo kompani për disa vjet është vonuar me realizimin e premtimeve prej 200 milionë euro investime në këto dy aeroporte, siç është thënë për shkak të krizës financiare, prandaj ka kërkuar që të rinegociohet kontrata.

I vetmi autoritet që mund të lejojë rinegocimin e kontratës, sipas zyrtarëve të PPP-së, është Komiteti Ndërministror për koncesionimin e ANP-së, në kuadër të të cilit është Ministria e Financave, ajo e Transportit, etj.

Edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile disa herë e kanë kritikuar qeverinë për mostransparencë me rastin e koncesionimit të ANP-së.

Avni Zogiani nga organizata “Çohu” pati deklaruar se procesi i koncesionimit është i kontrolluar prej politikanëve, të cilët, siç thotë ai, i kanë pasur klientë firmat që e kanë fituar tenderin. Zogiani pohon se pikërisht për shkak të mungesës së transparencës ka qenë e qartë qysh në fillim se nuk do të ndodhë një administrim i mirë në aeroport. /Zëri/Telegrafi/