Një kontigjent i FSK-së, është nisur sot për të marrë pjesë në ushtrimin fushor të organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë (USAREUR) e cila realizon ushtrimin e përbashkët fushor me shtetet e NATO-s dhe me shtetet partnere, të quajtur “Immediate Response -19” (Përgjigjja e Menjëhershme-19).
Sipas njoftimit për media, FSK-ja merr pjesë me 45 pjesëtarë të Batalionit të Tretë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë dhe Skuadrës së Deminimit (EOD). Ushtrimi do realizohet prej datës 20 maj deri më 8 qershor 2019 në Kroaci dhe Hungari.
“Ushtrimi do të zhvillohet me ekzekutimin e stërvitjeve në terren në nivel batalioni, ku do të përfshijë pritjen, përqendrimin e trupave, lëvizjen tutje dhe integrimin, me qellim kryesor të ndërveprimit në nivel taktik, në mes të ushtrive të shteteve pjesëmarrëse”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit pjesëtarët e Forcës së Sigurisë marrin pjesë në trajnime dhe ushtrime të ndryshme bilaterale dhe multilaterale, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, me qëllim që gjatë tërë kohës të jenë sa më të përgatitur, për të vepruar dhe punuar në mjedis të kombinuar shumëkombësh, si dhe të shkëmbejnë përvoja me shtetet partnere./Telegrafi/