Në kohën kur pritej që Qeveria të dalë me strategji të re për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov paralajmëron “pushim”, deri sa të mbarojnë zgjedhjet në fqinjin lindor. Madje ashtu siç bënë thuajse të gjithë paraardhësit e tij gjatë krizave në integrimin euro-atlantik të vendit, edhe Dimitrov në intervistë për MIA përsëriti se “Tani është koha të fokusohemi në reformat e brendshme”. Zgjedhjet parlamentare në Bullgari do të mbahen më 28 mars.
“Një pjesë e forcave politike bullgare dëshirojnë që këtë çështje ta shfrytëzojnë në fushatë. Nuk mendoj se do të ndihmojmë nëse përfshihemi në këtë histori. Mendoj se është koha që të pushojmë pak nga ky problem dhe praktikisht nga Bullgaria. Është koha që ta investojmë energjinë dhe kohën e limituar që kemi, në rregullimin e oborrit tonë”-pohoi Nikolla Dimitrov, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.
E pyetur për strategjinë e re, Qeveria për Alsat konfirmoi se koordinimet dhe bisedat brenda kabinetit ekzekutiv kanë filluar, dhe siç tha, ideja është që fillimisht të bisedohet për atë që është e mundur të realizohet. Ritheksoi gatishmërinë për t’i tejkaluar dallimet me Sofjen përmes një memorandumi apo deklarate, pa e prekur identitetin maqedonas. E përderisa ekzekutivi vlerëson se marrëveshja dypalëshe e vitit 2017-të është e mirë, opozita maqedonase këmbëngulë se ajo është e pavlefshme. Në intervistë për Netpress, kreu i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski ritheksoi nevojën për marrëveshje të re me Sofjen.
“Përderisa politikanët në fqinjin tonë lindor vazhdojnë me mohimin e mëvetësisë maqedonase, gjuhës, traditës, zakoneve, historisë, kulturës, atëherë vërtetë nuk e shohim cila është vlera e kësaj marrëveshjeje. Ajo marrëveshje, praktikisht, nuk ka vlerë dhe mendoj se duhet të ulemi e të bisedojmë për marrëveshje të re, në të cilën prioritet do të jenë çështjet që na bashkojnë e jo ato që na ndajnë”-tha Hristijan Mickoski.
Zgjerimi me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë gjithsesi nuk është në mesin e prioriteteve të Portugalisë, e cila kryeson me Bashkimin Evropian gjatë gjashtë muajve të parë të vitit./alsat/