Kontesti që zgjat me dekada ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë është pengesa më e madhe për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet biznesit maqedonas dhe atij grek. Por, përveç çështjes së emrit, afaristët e të dyja vendeve përmendin edhe probleme shtesë që janë pengesë për rritjen e përfitimeve.
“Nëse s’do të kishim probleme, gjërat do të ishin shumë më mirë se tani. Gjithsesi se kontesti për emrin është një problem , por ende ka shumë gjëra të tjera për të cilat nuk do të doja të flisja. Këto ju i dini shumë mirë. Mendoj se është koha që të punohet dhe të ndërmerren masa për tejkalimin e këtyre problemeve”, tha Kyriakos Loufakis, Kryetar i asociacionit afarist grek.
Afaristët ankohen edhe për autostradën që lidh Maqedoninë me Greqinë. Autostrada në anën e Maqedonisë ndalon tek Demir Kapija, kështu që transporti deri në kufi zhvillohet nëpër një rrugë të ngushtë. Shkupi dhe Athina nuk janë të lidhura me linjë ajrore, ndërsa lidhja hekurudhore mbetet prapa në zhvillim të paktën gjysmë shekulli.
“Kemi takim në terren me kompanitë, të cilat kanë rastin të njihen me bashkëpunëtorët e tyre nga Maqedonia për ta parë nga afër procesin e prodhimit si dhe të njihen me risitë. Këtë ato do të mund ta bartin edhe në Republikën e Greqisë sepse bëhet fjalë për menaxhmentët më të lartë të kompanive që ndodhen sot këtu”, tha Danella Arsova, kryetare e lidhjes së Odave Ekonomike./Telegrafi/