Telegrafi

Kontestet e bizneseve të shqyrtohen brenda 6 muajsh

Anëtarët e Komisionit parlamentarë për zhvillim ekonomik, kanë nxjerrë disa rekomandime lidhur me kontestet biznesore dhe adresimin e tyre në gjykata. Në këto rekomandime komisioni kërkon nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të marrë të gjitha masat e nevojshëm në mënyrë që trajtimi i kontesteve biznesore në Gjykata të shqyrtohen në afat prej 6 muajsh. Po ashtu, komisioni i ka rekomanduar Ministrinë e Drejtësisë që të krijoj parakushte për konsolidimin e departamentit për çështje ekonomike në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe në Gjykatën e Apelit.

Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se komisioni ndër çështjet nën prioritet ka marrë trajtimin e kushteve për mjedis të përshtatshëm për të bërit biznes.

“I rekomandohet Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të marrë të gjitha masat e nevojshëm në mënyrë që trajtimi i kontesteve biznesore në gjykatat të shkurtohet në mënyrë radikale, duke shqyrtuar rastet më së largu brenda 6 muajsh. I rekomandohet Qeverisë së Kosovës përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë që të krijoj parakushtet e nevojshme buxhetore që me prioritet të bëhet konsolidimi i departamentit për çështje ekonomike në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe në Gjykatë e Apelit“, ka thënë Mustafa.
Po ashtu sipas tij, këshilli gjyqësor duhet të krijoj buxhet për resurse të mjaftueshme për angazhimin e personelit mbështetës duke rritur ndjeshëm numrin e gjyqtarëve. Mustafa,po ashtu ka thënë se secili gjyqtarë duhet të ketë parim një deri në dy bashkëpunëtorë profesional për të përgatitur rastet në mënyrë që të rritet efektiviteti.

Anëtari i Komisionit, Fatmir Rexhepi, ka propozuar që të vendoset si pikë në rekomandime çështjen e mbikëqyrjes së zbatimit të rekomandimeve.

“Pas aprovimit në Kuvendin e Kosovës të këtyre rekomandimeve a duhet të zë vend edhe një pikë tjetër, bie fjala si prej kuvendit qoftë komisionit për legjislacion në këtë rast, si mendoj që është me rëndësishme apo komisioni që po e drejtoni iu të merr përsipër mbikëqyrjen e realizimit t ë këtyre rekomandimeve”, ka thënë Rexhepi.

Në fund komisioni vendosi që të angazhohet komisioni për zhvillim ekonomik dhe ai për legjislacion të trajton brenda 6 muajve një informatë lidhur me zbatimin e këtyre rekomandimeve. Po ashtu, u tha se do të bëhet redaktim teknik i rekomandimeve në mënyrë që të rregullohet çështja e drejtshkrimit. /Telegrafi/