Armend Shkoza
Se sa është i rëndësishëm territori për ekzistencën e entitetit të quajtur shtet, është shkruar mjaft. Madje jo vetëm se është shkruar, por nuk ka shumësi tjetër të çështjeve të pretekstit formal në emër të të cilave janë zhvilluar luftërat dhe kontestet territoriale përgjatë historisë, prejse njihet fenomeni i shtetit si organizatë shoqërore.
Në përshkrimet doktrinare të literaturës juridike dhe politike, shpeshherë elementet e shtetësisë shpjegohen në tredimensionalitetin e shtetit si subjekt. Kështu që elementet si territori, popullsia e përhershme dhe qeverisja përfaqësuese, paraqesin tri segmentet në diagramin juridik. Këto tri elemente, përfshirë këtu edhe elementin e katërt – aftësinë për të hyrë në marrëdhënie ndërkombëtare – janë të sanksionuara me Konventën e Montevideos (1933). E, diagrami në fjalë ka për qëllim të plotësojë anën epistemologjike mbi karakterin cilësor të shtetit.
Që të tri këto elemente që e portretizojnë kuptimin tredimensional të shtetit, nëse zbërthehen në nocionin gjeometrik – gjatësia, gjerësia dhe lartësia – janë në përshtatje të tri elementeve të shtetit për ta plotësuar formën tredimoensionale. Kështu që nëse gjatësinë e kuptojmë si territor, gjerësinë si popullsi dhe lartësinë si qeverisje, do të na kompletohet diagrami juridik i kuptimit tredimensional të fenomenit shtet.
Ndonëse që të trijat janë të lidhura njëra me tjetrën, besoj se duhet dhënë një shpjegim për analogjinë e këtyre cilësive për ta kuptuar drejtë këtë nocioni të zbërthyer në këtë mënyrë. Gjatësia që përfshin shtrirjen horizontale dhe që figurativisht nënkupton territorin, është cilësia e parë faktike. Shtrirja në hapësirë është aspekti i parë objektiv i kuptuar në terma real. Kjo hapësirë madje është esenciale për të përcaktuar zbatueshmërinë e një rendi shoqëror të rregulluar juridikisht.
Në fakt, territorialiteti është i mishëruar me zbatimin e së drejtës. Nuk ka element më qenësor përmes të cilit bëhet përcaktimi më ekzakt për të konstatuar se një normë juridike deri ku e shtrin të ashtuquajturin validitetin juridik. E, sigurisht se nuk ka dyshim që ky element është përcaktues edhe për aspektin objektiv të sovranitetit. Elementi apo segmenti i dytë, gjerësia, na portretizon popullsinë e përhershme e cila shtrihet në këtë gjatësi të trupit tredimensional. Në këtë kontekst nuk do të kishte asnjë kuptim ekzistimi i hapësirës, shtrirjes së normativës juridike pa subjektet e së drejtës ndaj të cilave veprojnë normat që janë të zbatueshme brenda hapësirës së caktuar. Dhe, segmenti i tretë, lartësia, mund të portretiozojë qeverisjen si shtrirje hierarkike e monopolit shtetëror. Pra, që këto të trijat plotësojnë konfiguracionin real të nocionit shtet të përftyruar si një figurë tredimensionale.
Një nga çështjet më vitale në Kosovë është çështja e demarkacionit të kufirit tokësor në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi. I udhëhequr nga komisionet shtetërore të të dy vendeve, ky procesi jotransparent nxjerr përfundimet në bazë të cilave është formalizuar marrëveshja për demarkimin e kufirit shtetëror në mes të këtyre dy republikave. Në gusht të vitit të kaluar, kjo marrëveshje është nënshkruar nga dy ministrat e punëve të jashtme, ai i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe i Malit të Zi, Igor Llukshiq, dhe ministrave të punëve të brendshme – Skender Hyseni dhe Rashko Konjeviq. Ndonëse marrëveshja në fjalë ka të bëjë me çështje territoriale, plotfuqishmëria e saj varet nga ratifikimi i organeve legjislative të të dy vendeve.
Për mënyrën e punës jotransparente të komisionit shtetëror, lidhjes së marrëveshjes dhe komunikimin e Qeverisë së Kosovës me spektrin politik dhe publikun kosovar, respektivisht ministrave përgjegjës, opozita parlamentare e ka kundërshtuar fuqishëm nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë. Opozita e bashkuar në parim për dy çështje tejet të rëndësishme – kundërshtimin e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe (a.q. “Zajednica”) dhe Marrëveshja për Demarkacionin – organizuan rezistencën në Kuvendin e Kosovës, e po ashtu edhe me format e ndryshme të rezistencës qytetare përmes protestave dhe aksioneve të ndryshme poltike.
Krahas opozitës që kundërshtonte fuqishëm nënshkrimin e marrëveshjes së 26 gushtit të vitit të kaluar, pretendimet e mbështetura edhe nga ekspertët e fushës, ishin se në këtë proces të demarkacionit të kufirit tokësor, Republika e Kosovës ka humbur territor në një sipërfaqe hiç më të vogël se 8200 hektraë. Pretendimet kundërshtuese të opozitës, të paraqitura me faktografi të ndryshme, u vërtetuan edhe nga shumë ekspertë të fushave të studimeve gjeografike, hartografike dhe juridike. Të gjithë e vërtetonin faktin se i gjithë procesi ishte zhvilluar mbi premisat e gabuara, ku për vërtetimin e fakteve territoriale ishin shfrytëzuar të dhënat kadastrale.
Për mos u futur më thellë në përshkrimin e rrjedhave nga fillimi i këtij procesi e deri më tani, duhet kaluar në pjesën kritike dhe natyrës së kontestit tanimë të krijuar si rezultat i kryeneqësisë së Qeverisë së Kosovës. Meqenëse metodologjia e përcaktimit të vijës kufitare kishte të bëjë me vërtetimin e shtrirjes së territorit kadastral, mënyra e precizimit të kufijve ka tendencë që thuajse janë duke u përcaktuar kufijtë e rinj. Terminologjia dhe qasja në këtë problematikë e ka përjashtuar organizimin territorial që ka qenë brenda Federatës jugosllave, sipas pozitës juridiko-kushtetuese të Kosovës.
Për të sqaruar këtë është e nevojshme që ta kemi parasysh se baza e të dhënave kadastrale nuk do te duhej të ishte përcaktuese për caktimin e vijës kufitare në mes të dy vendeve – që kanë pasur kontinuitet e ekzistencë administrative. Për aq më shumë që të dy vendet kanë qenë subjekte juridike brenda organizimit territorial e administrativ në të njëjtën federatë.
Regjistrat kadastralë janë libra publik[ të cilët i nënshtrohen organizimit administrativ. Në to regjistrohet e drejta e pronësisë, mirëpo ato nuk mund të jenë përcaktuese lidhur me konstatimin e territorit administrativ. Kjo merr një dimension tjetër, kur kihet parasysh se të gjitha librat civilë kanë qenë të grabitura nga Serbia pas tërheqjes së administratës dhe forcave të armatosura të saj.
Ne anën tjetër, metodologjia e përcaktimit të kufijve me shumë i ngjan limitacionit (përshkrimit te kufirit nga pika zero) sesa demarkacionit (definimit te kufijve ekzistues). Po ashtu, nuk është e qartë se cili do të jetë raporti në mes të Serbisë dhe Malit te Zi në këtë proces. Mali i Zi dhe Serbia janë dy shtete që kanë marrëdhënie bilaterale. Në anën tjetër, Serbia, me Kushtetutë konsideron se Kosova është pjesë territoriale e saj. Heshtja e Serbisë në këtë proces është simptomatike dhe për t’u konsideruar. Sidomos kur kihet parasysh se komisionet e Kosovës dhe Malit të Zi kanë trajtuar edhe piramidat e mezhdave të kufijve Kosovë-Mali i Zi-Shqipëri dhe Mali i Zi-Kosovë-Serbi.
Një çështje tjetër e cila asnjëherë nuk është duke u sqaruar është se kufijtë ekzistues në të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë janë kufijtë e ashtuquajtura të AVNOJ-it. Dhe, kjo çështje qëllimisht thuajse është anashkaluar sistematikisht nga ana e Qeverisë së Kosovës, qoftë në diskutimet në Kuvendin e Kosovës, qoftë në prononcimet zyrtare, dhe se me qëllim janë përmendur të ashtuquajturit “kufijtë e vitit 1974”. Dhe, për këtë nevojitet një sqarim konkret.
Viti 1974 dhe Kushtetuta e vitit 1974 nuk i kanë caktuar fare kufijtë e Kosovës. Kufijtë brenda ish-RFSJ-së janë caktuar dy herë që nga ekzistimi i kësaj Federate. Kushtetuta e vitit 1974 (të ashtuquajturës Krahina Socialiste Autonome e Kosovës), në dispozitat themelore të saj, në Nenin 6, ka përcaktuar se territori i Kosovës përbëhet nga territori administrativ i komunave të saj. E, këta kufij janë rregulluar me ligjin për kufijtë administrativ që është miratuar pas vitit 1959. Herën e parë kufijtë janë përcaktuar në vitin 1945, dhe herën e dytë në vitin 1959. Këta kufij janë quajtur kufijtë e AVNOJ-it (Këshilli Popullor i Çlirimit Antifashistë të Jugosllavisë).
Kosova në vitin 1945 ka qenë e njohur si regjion, apo siç është quajtur AKMO (Autonomna Kosovsko Metohijska Oblast – Rajoni Autonom i Kosovës dhe Metohisë). Në vitin 1959, pas miratimit të Kushtetutës së RFSJ-së të vitit 1953, janë ricaktuar kufijtë administrativ brenda Federatës, ku Kosovës i shtohen dy komuna: ajo e Leposaviqit dhe e Zubin Potoku.
Momenti i Kushtetutës së vitit 1974 është momenti kur Kosova duke e avancuar në pozitën juridiko-kushtetuese brenda Federatës, e siguron tërësinë territoriale të saj nga ndryshimi i kufijve, pa dhënien e pëlqimit të saj për të. Pra, Kosova, sipas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974 ka pasur pozitë vendimmarrëse sa i përket ndryshimit të kufijve, jo vetëm të saj, por edhe për kufijtë e Serbisë dhe të RSFJ-së në tërësi.
Në anën tjetër, 31 dhjetori i vitit 1988 – që përmendet te Pako e Ahtisarit – është vetëm datë referuese e cila ka për qëllim që të distancojë çfarëdo interpretimi juridiko-administrativ, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës nga Serbia. Kufijtë e vërtetë të Kosovës janë ato të vitit 1959. Ata kufij zaten kanë qenë në gjendjen faktike para demarkacionit me Malin e Zi. E, të gjitha këto gjenden në Arkivin Qendror të Serbisë që gjendet në Beograd.
Siç shihet, me një paqartësi dhe mjegullnajë, Qeveria e Kosovës dhe subjektet e koalicionit PDK-LDK-Lista Srpska, janë duke tentuar që marrëveshjen e demarkacionit ta dërgojnë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës. Marrëveshja në përmbajtjen e saj – përfshirë ankeset e përshkrimit të pikave sipas punës së Komisionit shtetëror, sipas vlerësimit të ekspertëve të fushës çojnë në humbjen e një sipërfaqeje prej hiç më pak se 8200 hektarëve. Të gjitha shenjat tregojnë se në të ardhmen, edhe nëse ratifikohet kjo marrëveshje nga e cila Republika e Kosovës del e dëmtuar në kuptim territorial, kjo çështje do të paraqitet si mollë sherri.
Por, rreziku real është se Kosova duhet që ta kundërshtojë këtë marrëveshje dhe se përmes kanaleve diplomatike dhe duke marrë parasysh deklarimin e zyrtarëve të Malit të Zi për gatishmërinë e bisedimeve në rast të çfarëdo kontestimi, të kërkojë rishqyrtimin e gjithë procesit duke filluar nga pika zero.
Nga një interpretim nga praktika e së drejtës ndërkombëtare publike, mund të nxjerrim një mësim që Kosova mos të futet në një vorbull që mund të vihet në pozitën e mjetit në proceset e mëdha gjeopolitike. Këtë duke marrë parasysh se Mali i Zi ka marrë tanimë ftesën për anëtarësim të NATO-së. Për këtë shikuar perspektivën tjetër mbi garniturën politike në Malin e Zi, ndonëse formalisht shtet i deklaruar me aspirata të integrimeve të ashtuquajtura euroatlantike, mundësia e përmbysjes të një politike të tillë shtetërore është shumë reale. Forcat politike, nacional-shoviniste e të afërta për nga pikëpamja me politikat e Serbisë, mund ta ndërrojnë tërësisht kursin integrues të Malit të Zi. Pra, përmbysja e Qeverisë aktuale të Podgoricës mund të sjell në pushtet forcat politike të orientuara kah Rusia, që do të nënkuptonte ndalimin e proceseve integruese e madje, në rastin e anëtarësimit, edhe daljen nga pakti i ardhshëm me NATO-n.
Se këto lojëra mund të shkojnë në dëm të Kosovës, është për t’u çuditur kur në dhjetor të vitit 2015, Departamenti amerikan i Shtetit nxjerr një komunikatë sipas të cilës në mënyrë të paqartë konfirmonte rregullsinë e procesit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Publikimi i këtij qëndrimi – dhe në njëfarë mënyre konstatimi pa shpjegime të hollësishme – me të drejtë mund të sjell dyshime të bazuara se diçka nuk është në rregull me gjithë këtë proces.
Se si mund të përdorën kontestet territoriale për arritjen e qëllimeve gjeopolitike, mjafton ta marrim shembullin e luftës në mes të Irakut dhe Iranit. Ishte pikërisht përshkrimi i kufirit në lumin Shat al-Arabit, kufi ky i përshkruar në ujërat e brendshme që përshkon kufirin juglindor në krahinën e Basrës, së solli telashe. I njëjti qe pretekst për nisjen e një lufte tetëvjeçare (shtator 1980 – gusht 1988). Mospajtimet lidhur me përshkrimin e vijës kufitare që përshkonte kufirin irako-iranian datojnë që nga kohërat e mëhershme, por problematizimi i tij aktualizohet në proceset politike në rajon.
Ky problem fillon të aktualizohet në vitin 1975, për të kulmuar pas të ashtuquajturit Revolucioni Islamik i vitit 1979. Pas dëbimit nga pushteti të Muhamed Reza Shah Pavlavit dhe ardhjes në pushtet të Ajatollah Homeinit, marrëdhëniet në mes të Iranit dhe botës perëndimore, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përkeqësuan menjëherë. Aleati më i afërt, pas ndryshimeve në Teheran, ishte Iraku.
Se marrëdhëniet në relacion Irak-Iran ishin krejt ndryshe, vërtetohet me faktin se vetë Homeini – si kundërshtar i Shahut – ishte dëbuar për në Francë përmes Bagdadit. Pra, së pari ishte deportuar në Irak dhe më pas është transferuar në Francë, për t’u kthyer pas revolucionit. Dhe, lufta tetëvjeçare lidhet me mospajtimet rreth demarkimit të kufirit në mes të Irakut dhe Iranit. Iraku i mbështetur nga ShBA-të, i furnizuar me armë, nuk ia doli që ta ngadhënjente luftën kundër Iranit. Një luftë e gjatë me qindra-mijëra të vrarë përfundoi pa ndonjë rezultat.
Duke marrë për shembull një konflikt mbi bazën e një kontesti të kontaminuar për gati njëqind vite më parë, u paraqit si pretekst formal për nisjen e një lufte të gjatë, e që kryekëput lidhej me proceset politike në rajon. A nuk është e mundur që nesër në një situatë të mospajtimit në mes të Perëndimit dhe ndërrimit të kursit të tërësishëm të Malit të Zi, Kosova të jetë një mjet – qoftë për shtrëngim apo konfrontim të drejtpërdrejtë?! Me këtë potencial me të cilin Kosova nuk po mundet ta mbajë nën sovranitet më shumë se 20 për qnd të territorit, pa një Ushtri të konsoliduar, me keqqeverisje ku maksima kryesore është interesi personal, a mund dhe a duhet të jemi mjet gjeopolitik?!
Assesi.
Kombi shqiptar, si komb i dytë për kah madhësia demografike, duhet parimisht të zgjidh çështjen kombëtare, ku subjektiviteti i Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës janë hap përpara drejt faktorizimit dhe jo të mjetizimit në procese të tilla. Zgjidhja e vetme për këtë është rideterminimi me forca të reja politike, të cilat do ta trasonin rrugën nacionale në bazë të interesave të përgjithshëm dhe jo atyre individuale. Me këtë garniturë qeverisëse nuk ka sovranitet. Me këtë garniturë qeverisëse është e garantuar humnera dhe nënshtrimi i Kosovës. Nuk na nevojitet një lum tjetër si pretekst dhe barrë për gjeneratat e ardhshme.
Andaj, jo demarkacionit në këtë mënyrë!