Site icon Telegrafi

Kontejnerët me ‘mbetje të rrezikshme’ mbërrijnë të dielën në Durrës

Në një letër të dytë të hapur, drejtuar Ministres së Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro Furxhi, dhe Koordinatores për Konventën e Bazelit në Shqipëri, Elvana Ramaj, drejtuesi i organizatës mjedisore “Basel Action Network” (BAN), me qendër në SHBA, u bëri thirrje autoriteteve shqiptare për transparencë në procesin e hapjes dhe testimit të kontejnerëve ne mbetje, të cilat pritet të rikthehen në portin e Durrësit përmes anijes turke “BURAK BAYRAKTAR.”

“102 kontejnerët e dyshuar me mbetje të rrezikshme janë planifikuar për t’u rikthyer në portin e Durrësit më 27 tetor. Ritheksoj kërkesën time të mëparshme që Shqipëria të testojë në mënyrë të saktë dhe transparente kontejnerët për të përcaktuar përmbajtjen e tyre,” shkruan Puckett në letrën e tij, ku kërkon gjithashtu që organizata BAN të jetë prezente gjatë procesit të hapjes së kontejnerëve dhe të marrë mostra nga mbetjet për testime të pavarura në laboratorët e tyre.

Eksporti i dyshuar i mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u denoncua më 5 gusht nga “Basel Action Network,” një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara, e cila ngriti alarmin se një anije gjigante kontejnerësh prej 175 mijë tonësh e linjës “Maersk” u zhduk në fund të korrikut nga radarët afër Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë nga ajo tek autoritetet vendase.

Një investigim i BIRN zbuloi se mbetjet e dyshuara si të rrezikshme ishin prodhuar nga gjiganti metalurgjik ‘Kurum’ dhe janë eksportuar nga kompania Sokolaj shpk në Durrës, në bashkëpunim me G.S. Minerals në Kroaci.

Tajlanda, destinacioni i mbërritjes, refuzoi importin pas sinjalizimit për mbetjet e rrezikshme, të cilat ishin nisur nga Durrësi në fillim të korrikut në rreth 100 kontejnerë dhe që besohet se vijnë nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike.

“I bëjmë thirrje Shqipërisë të hapë kontejnerët e rikthyer në një proces plotësisht transparent dhe të dukshëm për publikun,” shkruan më tej Puckett, duke shtuar se është tepër e rëndësishme që kjo çështje të mos kalojë pa u vënë re.

“Ne jemi të shqetësuar lidhur me përpunimin e papërshtatshëm të këtyre mbetjeve në portin e Durrësit në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen,” vijon Puckett në letrën e tij.

Puckett nënvizon se një proces transparent do të ishte një shembull i mirë për Shqipërinë, e cila tashmë është pjesë e Konventës së Bazelit, konventë që rregullon dërgesat ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme midis shteteve të ndryshme.

Sipas tij, dështimi për të ndjekur një plan të mirë-zbatuar për marrjen dhe testimin e këtyre mbetjeve të dyshuara do të shkaktonte krijimin e teorive konspirative dhe mungesë transparence nga ana e autoriteteve shqiptare.

Aktivisti mjedisor dhe drejtuesi i BAN sugjeron më tej që mostrat e marra për testim nga kontejnerët të dërgohen në tre laboratorë të ndryshëm e të pavarur – një të zgjedhur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, një nga një shtet si palë e tretë, dhe një nga vetë BAN.

“Nëse ndonjë nga këto tre mostra rezulton si mbetje e rrezikshme, atëherë këto materiale duhet të menaxhohen dhe përpunohen si të tilla. Nëse rezultojnë të sigurta, ato duhet të depozitohen në landfille të përcaktuara për mbetje të rrezikshme,” përfundoi BAN. /BIRN/

Exit mobile version