Site icon Telegrafi

Kontabilistët me borxhe nuk do të fshihen nga regjistri qendror, Kuvendi i RMV-së ndryshon ligjin në favor të tyre

Në vazhdimin e sotëm të mbledhjes së 35-të të Kuvendit me procedurë të shkurtër ishin miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për kryerjen e punëve kontabiliste, të cilat i propozuan deputetë të shumicës qeveritare, ndërsa me të cilat u mundësohet kontabilistëve që deri në fund të vitit të ardhshëm t’i përmbushin detyrimet ligjore për zhvillim të vazhdueshëm profesional.

Rreth 3.300 kontabilistëve, të cilët nuk kanë vizituar numër të mjaftueshëm të orëve për trajnim dhe ishin dënuar në mënyrë disiplinore me fshirje të përkohshme nga regjistri, u mundësohet që t’i nënshkruajnë llogaritë vjetore dhe raportet financiare të subjekteve juridike për vitin 2024, ndërsa afati për plotësimin e kushteve për zhvillim profesional u vazhdohet deri më 31 dhjetor të vitit 2026.

Vërejtje për ndryshimet e propozuara kishte deputetja Sanja Llukarevska, e cila theksoi se me ato bëhet sulm në respektimin e afateve të miratuara ligjore paraprakisht.

Deputeti Bojan Stojanoski, i cili është një nga parashtruesit e propozimit për ndryshimet ligjore, theksoi se kjo bëhet me procedurë të shkurtër që të shmangen probleme në punën e subjekteve juridike dhe në përgjithësi në ekonomi.

Exit mobile version