Një qytetar i revoltuar ka shkuar në zyrat e KEDS-it në Rahovec dhe me çekiç ka demoluar inventarin e zyrave.
Në fotografitë e dërguara në KALLXO.com nga një qytetar shihen tavolinat e rrokullisura, kompjuterët e rrëzuar e dokumente të shkapërderdhura gjithandej.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Rahovecit.
Komandanti i Stacionit Policor në Rahovec, kapiten Osman Ismajli, tha se nuk ka persona të lënduar.
“Motivi ka qenë i borxheve që i dyshuari ka ndaj KEDS-it. I dyshuari është pronar i një restoranti afër Stacionit të Autobusëve. I dyshuari ka tentuar edhe fizikisht t’i kundërvihet një zyrtari në KEDS por është ndaluar nga punëtorët e tjerë. Ne e kemi arrestuar. Është i ndaluar 48 orë me urdhër të prokurorit”, tha Ismajli.
Merret vesh se incidenti ka ndodhur rreth orës 16:00.