Telegrafi

Konsumatorët e Meridian Express dhurojnë 4,941.20 euro për SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë

Rrjeti i i marketeve “Meridian Express” së bashku me konsumatorët e saj kanë dhuruar 4,941.20 euro, për SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë. Këto mjete u mblodhën përgjatë fushatës një mujore “Barazo Faturën”, ku konsumatorët Meridian Express, dhuruan me vetëdëshirë mbetjen e faturës së tyre për SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë dhe secila shumë e kontribuar ka figuruar në formë të produktit në faturën e secilit konsumator.

Përfaqësuesi i kompanisë Meridian Express, Arben Idrizi, në mënyrë simbolike dorëzoi çekun e mjeteve të mbledhura në pikën e Meridian Express-it në Gjilan, si njëra ndër pikat ku konsumatorët kanë kontribuar më së shumt gjatë kësaj fushate.

“Një falënderim shkon për konsumatorët e Meridian Express, sepse këto mjete janë kontribut i tyre,” ka thënë ai, duke shtuar se është një ndjenjë shumë e veçantë të jesh donator i SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë.

“Kontributi ynë do të ndihmojë shumë të rinjë dhe të reja nga SOS Fshatrat e Fëmijëve. Mendimi se edhe ne kemi kontribuar sadopak tek këta të rinjë, në pavarësimin e tyre dhe sukseset që ata do të arrijnë në jetë, të jep gëzim dhe ndjenjë shumë të veçantë”, tha Idrizi, duke u zotuar se ky bashkëpunim dhe partneritet do të vazhdojë edhe më tutje.

Në anën tjetër, Përgjegjësja për Mbledhjen e Fondeve në SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, Albana Zogu – Morina, ka falëndëruar kompaninë për kontributin e dhënë. Ajo ka theksuar se këtë vit shuma e mbledhur është më e madhja që është mbledhur gjatë viteve të fundit të kësaj fushate.

Meridian Express është kompani e cila në vazhdimësi ka mbështet SOS Fshatrat e Fëmijëve, dhe përgjatë viteve është bërë donatori më i madh i yni,” tha ajo.

Me këtë rast, SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë nderuan kompaninë Meridian Express me Pllakën “SOS Kompani Mike e Artë”.

Zogu-Morina po ashtu falëndëroi edhe të gjithë konsumatorët të cilët kontribuan në këtë fushatë, duke thënë se ky donacion kontribuon drejpërdrejtë në moton e SOS Fshtrave të Fëmijeve “Një shtëpi e lumtur për çdo fëmijë”.

SOS Fshatrat e Fëmijëve është një organizatë e pavarur që vepron për mirëqenien e fëmijëve në rrezik të humbjes së kujdesit familjar dhe të fëmijëve që tashmë nuk kanë përkujdesje familjare.