Site icon Telegrafi

​Konstituohet Komisioni Parlamentar për vettingun – sfidë konsiderohet sigurimi i votës së Listës Serbe

Komisioni Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, i njohur si procesi i vettingut, sot ( e martë) ka mbajtur mbledhjen konstituive ku u diskutua për hapat që do t’i ndërmarrin, derisa pozitë e opozitë ofruan mbështetjen për procesin e vettingut.

Por, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica e cila ngriti shqetësime për sigurimin e votës së Listës Serbe që nevojitet për këtë proces.

Kryetari i këtij Komisioni, Kujtim Shala u shpreh se janë dy hapa që duhet t’i ndërmarrin për të quar tutje procesin e vettingut.

Sipas tij i pari ka të bëjë me amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës, ndërsa hapi i dytë është miratimi i legjislacionit që do të mbështesë ndryshimet kushtetuese të propozuara.

“Dosjen e kemi të plotë kemi një lloj orientimi se si duhet të punojmë unë kam kërkuar një lloj udhëzimi juridik nga personi kryesor i Administratës së Kuvendit që ka të bëjë me pjesën përmbajtjesore, jo me planin e veprimit me pjesën teknike por me hapat që duhet të ndërmarrim në këtë proces. Sipas këtij dokumenti propozohen dy hapa. Hapi i parë përfshinë amendamentin e Kushtetutës së Kosovës pra që është proces thelbësor, dhe hapi i dytë miratimin e legjislacionit që do të mbështetëse ndryshimet kushtetuese që do t’i propozojmë ne. Procesi që do të mundësojë një vetting çfarë ne dëshirojmë janë ndryshimet kushtetuese, sot po diskutoj vetëm hapin e parë dhe do të punojmë këtë që të përmbushim hapin e parë për ta realizuar që nënkupton ndryshimet kushtetuese, pastaj pas kësaj do të merremi me pjesën tjetër që ka të bëjë me legjislacionin”, theksoi ai.

Teksa i sqaroi hapat që duhet ndërmarrë lidhur me ndryshimet kushtetuese për procesin e vettingut, Shala tha se ky proces kërkon koordinim me Qeverinë e Kosovë, Presidencën, partnerët ndërkombëtarë por edhe shoqërinë civile.

“Pas adaptimit të teksteve të amendamenteve që do të propozojë ky komision, dhe besoj që aty nuk kemi shumë punë meqë kemi edhe vlerësimet e Komisionit të Venecias, së paku sipas procedurës 30 deputetë të Kuvendit mund të propozojnë amendamente kushtuese të cilat i dorëzohen kryetarit të Kuvendit, kryetari i Kuvendit në seancën plenare të radhës e njofton Kuvendin me propozimin për ndryshimin e Kushtetutës dhe konstaton plotësimin e kushteve sipas nenit 144 të Kushtetutës për fillimin e procedurës për amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, nën 3 kryetari i Kuvendit jo më vonë se 7 ditë nga dita e mbajtjes së seancës plenare ia dërgon Gjykatës Kushtetuese amendamentet e propozuara për të vlerësuar paraprakisht nëse ndryshimi i propozuar nuk pakëson ndonjë nga të drejtat dhe liritë e përcaktuara në kapitullin 2 të Kushtetutës. Pas marrjes së vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese, Komisioni për Legjislacioni brenda 7 ditëve ia paraqet rekomandimin Kuvendit për amendamentet e propozuara. Shqyrtimi dhe miratimi i amendamenteve bëhet në seancë plenare të veçantë e cila thirret brenda dy javësh nga marrja e vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese, Kuvendi shqyrton dhe miraton çdo amendament veç e veç dhe në mënyrë të hapur, amendamentet miratohen me 2/3 e gjithë Kuvendit”, theksoi ai.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi u shpreh se duhet të fillojnë me hartimin e amendamenteve kushtetuese.

Ai propozoi që pas dërgimit të amendamenteve kushtetuese për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të punohet në draftimin e ligjit dhe rishikimit të ligjeve që prek procesi i vettingut.

“Jo vetëm për shkak të kronologjisë së hapave në kuptim procedural e kushtetues por edhe për shkak të produktivitetit të punës së komisionit mendoj se duhet të fillojmë me miratimin, respektivisht me hartimin në komision të amendamenteve kushtetuese që shërbejnë edhe si bazë e etablimit të trupave të vlerësimit kalimtar por edhe si bazë për legjislacionin tjetër plotësues që e jetëson këtë proces. Por mendoj se duhet ta ndërtojmë një plan të punës që e racionalizon kohën që punojmë paralelisht duke qenë se amendamentet kushtetuese duhet të dërgohen për vlerësim paraprak në Gjykatën Kushtetuese e ky afat nuk është i përcaktuar për Gjykatën Kushtetuese, por po mendoj se pasi që t’i hartojmë dhe pasi kryetari i Kuvendit t’i procedojë në Gjykatën Kushtetuese ne mund ta shfrytëzojmë këtë periudhën sa kohë gjykata nuk e ka vlerësuar ende që të punojmë në draftimin e ligjit dhe të rishikimit të ligjeve që prek ky proces”, theksoi ai.

Mbështetje për procesin e vettingut shprehu edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila tha vettingu është kërkesë e kamotshme e kësaj partie.

“Unë dua të shpreh vlerësimin dhe mbështetjen tonë për një proces të cilin PDK prej kohësh e ka kërkuar që të rifillohet dhe t’i hapet mundësi Kosovës që ta ketë vettingun e sistemit të drejtësisë. Natyrisht, ne do të japim kontributin tonë shpresoj të kemi një punë efikase me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe natyrisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, theksoi Deliu-Kodra.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica u shpreh se për procesin e vettingut duhet punuar sepse nuk ka kohë për të humbur. Ajo theksoi se partitë politike në vend duhet të mendojnë për një formë për të siguruar edhe votën e Listës Serbe, prej të cilës varet edhe i gjithë procesi.

“Është edhe elementi tjetër që sa do i dhimbshëm nuk mundemi ta injorojmë në këtë mbledhje e që ka të bëjë me 2/3 absolute të votave sepse amendamentet kushtetuese megjithatë do ta kërkojnë dhe së paku një votë të Listës Serbe, kështu që është tejet e rëndësishme që ta themi publikisht atë që do ta mundësonte që ky proces të jetësohej që është politika në Kosovë, të gjitha partitë politike duhet ta mendojnë një formë se si dhe cilat do të jenë hapat tonë politik-strategjikë që ne ta sigurojmë atë votë, natyrisht që kjo nuk duhet të jetë në dëm të asnjë procesi tjetër madhor në vend por duhet ta kemi parasysh që vettingu absolutisht është një ndër proceset më të rëndësishme në sistemin dhe reformën në drejtësi në Kosovë, dhe është e kot të flasim për amendamentet kushtetuese derisa nuk e mendojmë dhe faktin se ne duhet ndërkohë paralelisht të ndërmarrim çdo hap të mundshëm që të sigurojmë votën e që na duhet nga Lista Serbe, që fatkeqësisht na duhet”, u shpreh ajo.

Më 4 shtator të këtij viti, Qeveria e Kosovës ia ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dosjen e vettingut në drejtësi./KP/Telegrafi/

Exit mobile version