Është bërë konstituimi i Komisionit Hetimor parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për leje e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.
Kryetarja e këtij komisioni, Eliza Hoxha, tha se qëllimi i këtij komisioni është që të hetohet mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjen dhe aplikimin për leje për hidrocentrale.
“Ti qasemi kësaj pune me dashamirësi t’i kuptojmë ndërhyrjet dhe ndikimet që kanë pasur në mjedisin në Kosovë”, tha ajo.
Anëtari i këtij komisioni, Haxhi Avdyli, njëherësh iniciuesi i këtij komisioni, tha se përmes këtij komisioni duhet të hetohen lejet e deritanishme.
“Unë besoj që nga përvoja ime nga komisionet tjera, shpresoj që ky komision do të kemi një bashkëpunim të mirë dhe do të kemi rezultatet që degradimi i ambientit. Qëllimi jonë është që të hetojmë lejet e deritanishme, a ka pasur abuzime dhe ne ta rregullojmë këtë çështje përmes nismave ligjore në mënyrë që ta ruajmë ambientin”, tha ai.
Anëtarja e këtij komisioni, Besa Gaxherri, tha se duhet të fillojnë menjëherë me punë që të arrijnë rezultate.
“Për me dal ne të suksesshëm duhet të punojmë, prandaj po kërkoj qysh sot që të na pajisni me dokumentacion zyrtarë për aplikuesit, ta kemi listën dhe ta kemi dokumentacionin zyrtar”, tha ajo.
Anëtari i komisionit, Shpejtim Bulliqi, tha se duhet të ketë kujdes që resurset natyrore tw mos degradohen.
“Ne jemi në kufirin e krizës për ujë, që jemi në atë kufirin e futjes nën minimum. Prandaj, duhet të kemi kujdes që këto resurse të ruhen dhe të mos degradohet ambienti”, tha ai. /kp/